Ish-kryeministri Sali Berisha ka vijuar akuzat e ashpra ndaj trupës diplomatike në Tiranë se është korruptuar nga kryeministri Edi Rama me synimin e vetëm për të shkatërruar opozitën shqiptare si dhe për ta shpallur atë non grata.
Pas përsëriti pretendimet ndaj ambasadores amerikane Yuri Kim, Sali Berisha lëshoi akuza të reja ndaj diplomatit britanik, Alstair King Smith, të cilin e krahasoi me ish-zyrtarin e FBI, McGonigal.
“Po në këtë shkallë korrupsioni dhe qëndrimi ndaj opozitës është edhe ambasadorja Yuri Kim, e korruptuar pa asnjë dyshim nga Edi Rama, po në atë shkallë që është i korruptuar McGonigal.
Korrupsionin e saj e kam denoncuar dhe e denoncoj jo me pasion, me keqardhje të thellë, se nuk më vjen mirë që unë të atakoj në mënyrë të tillë, përfaqësuesin e partnerit tonë strategjik, vendit që ne shqiptarët i detyrohemi më shumë se kujtdo tjetër lirinë tonë.
Por po nga të njëjtat pozita, me të njëjtën mënyrë veproi edhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Alstair King Smith. Edhe ky është një lloj McGonigali, i cili ka mashtruar qeverinë e madhërisë së tij në çdo gjë që i ka dërguar për Sali Berishën.
Unë ju them ju, shumë shpejt do të i bëj publike një për një trillimet e ulëta të një njeriu të korruptuar këmbë e xhep. Por Britania e Madhe është shtet ligjor dhe unë kam besim të madh tek drejtësia e vendit ku keni ju”, deklaroi Berisha.