Kryetari i PD-së Sali Berisha bëri akuza të forta mbrëmjen e kësaj të enjteje për çështjen e kontejnerëve me mbetje të rrezikshme të refuzuara nga Tajlanda dhe që thuhej se vinin nga Shqipëria.
Berisha thotë se ato janë nisur nga kompani të lidhura me qeverinë.
“Shteti nga u nisën zbaton kodin Omerta, kodin e mafies, heshtjen e varrit, pavarësisht se janë rreth 140 kontejnerë. Pavarësisht se janë ngarkuar nga porti i Durrësit. Pavarësisht se janë helme të rrezikshme. Nuk ka dyshim që kemi të bëjmë me një biznes kriminal të rrezikshëm, shumë të rrezikshëm për jetën, shëndetin e shqiptarëve.
Kemi të bëjmë me një biznes kriminal të rrezikshëm të Edi Ramës dhe klanit të tij qeveritar. Më thoni mua, si ka mundësi në një vend të prodhohen mijëra ton mbetje toksike dhe të jenë jetime? Të mos dalë prodhuesi i tyre? Të mos u dalë zot prodhimeve? Si ka mundësi që asnjë institucion që paguhet për kontroll të çdo gjëje që prodhohet në këtë vend, të çdo eksporti nga ky vend, të mos thotë dot një fjalë të vetme?
Cili qenka ai biznesmen i aftë që asgjëson çdo inspektorat në Shqipëri, që asgjëson dogana, tatime, kontrolle e gjithçka tjetër dhe nis në det mijëra e mijëra ton helme lëndë toksike? Jo, ky nuk mund të jetë një biznesmen, ky mund të jetë vetëm kryepadrinoja e Shqipërisë, Edi Rama me klanin e tij”, akuzoi Berisha që deklaratat i çoi edhe më tej.
Sipas tij, në tunele po groposen mbetje të rrezikshme duke kujtuar premtimin e Ramës për të marrë mbetjet e Sirisë.
“Unë duhet t’u them shqiptarëve se prej disa kohësh qarkullojnë lajme se në tunelet e Shqipërisë groposen helme të tmerrshme. Natyrisht unë duhet të jem i sinqertë, përveç lajmit nuk kam arritur të kem në dorë një fakt konkret, sepse kurrë nuk do ta lija pa e bërë publik. Por groposja në tunelet e vendit të helmeve është një krim monstruoz ndaj shqiptarëve kur ke parasysh se ujërat nënujore të këtij vendi janë edhe më të shumta se ujërat mbitokësore të tij.
Nuk them, nuk kam fakte, por ama mijëra ton lëndësh lënë me të drejtë të dyshohet se këtu ndodhin procese të tmerrshme, të fshehta, sekrete për pasurimin e Edi Ramës dhe të bandave të tij në pushtet. Çfarë janë ato? Një gjë është e sigurt që në 32 vite kjo nuk ka ndodhur kurrë. Këtu ka furrnalta kromi, hekuri, alumini. Mbetjet e tyre ata i kanë të kodifikuara se ku i transportojnë dhe ku i eksportojnë.
Kurse këto ishin një akt supermafioz, u nisën për në Trieste, u ndaluan. U kthyen për në Tajlandë, Tajlanda sapo e mori vesh, i ktheu për në Shqipëri, nuk keni punë këtu. Çfarë janë këto helme që shëtisin nga një det në një tjetër dhe Edi Rama, Pirro Vëngu, Lubi Balluku heshtin si fija e barit. E kujt është kontrata? Cilat janë lëndët që vijnë dhe shkatërrohen në Shqipëri dhe mbetjet e tyre eksportohen dhe nuk i pranon njeri se janë helme toksike?”, tha Berisha.
Ai i bëri thirrje OKB-së, OSBE-së dhe NATO-s të sjellin një komision verifikimi pasi në rrezik është jeta dhe siguria e një vendi.
“Unë kam një thirrje për Organizatën e Kombeve të Bashkuara, me urgjencë të sjellë një komision. Thirrje për OSBE-në, të sjellë një komision. Thirrje për NATO-n, të sjellë një hetim se në lojë, në rrezik është jeta, siguria e një vendi dhe një kombi nga një aventurier, nga një kriminel kryeministër që për pasurimin e tij është i aftë të kryejë çdo krim, është i aftë të fshehë çdo krim”, përfundoi Berisha.