Për grevën e punonjësve të Albcontrol në Rinas, kompanisë që menaxhon kontrollin e fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ka reaguar edhe kryeministri Edo Rama me anë të një statusi në rrjetet sociale.
Rama shkruan se organizatorët do të kallëzohen penalisht, ndërsa thekson se “frymëzuesit”, ashtu siç ai quan Berishën dhe Metën, duan mbylljen e aeroportit për të mos ardhur vaksinat.
“Sabotimi i rëndë i aktivitetit të Aeroportit “Nënë Tereza” nuk do të tolerohet! Frymëzuesit e kësaj lëvizjeje të çartur çartiste, Saliu që gjuan me gurë digjitalë dhe Iliri, që hedh gurin e markës “Leshko” dhe fsheh dorën, duan mbylljen e aeroportit për të mos ardhur vaksinat!
Organizatorët do të kallëzohen penalisht dhe do të përballen me ligjin, që ndalon rreptësisht ndërprerjen e aktivitetit të kullës nga ana e kontrollorëve!Të tjerët duhet të vendosin menjëherë: O me shtetin në punë o me antishtetin në një proces penal për cënim të sigurisë kombëtare”, shkruan kryeministri Rama në Twitter.