Politika Akuza të forta dhe paralajmërim padie, pse Berisha u përplas me deputetin...

Akuza të forta dhe paralajmërim padie, pse Berisha u përplas me deputetin gjerman, Krichbaun

Vizita dy ditore e zëdhënësit për Çështjet Europiane në Grupin Parlamentar të CDU/CSU në Bundestag, Gunther Krichbaum është kthyer në një përplasje mes tij dhe kreut të Rithemelimit, Sali Berisha.

Ky i fundit, iu përgjigj ashpër akuzave dhe retorikës që deputeti gjerman përdori gjatë një konferencë me gazetarët në Tiranë.

Duke i cilësuar hetimet ndaj Berishës si akuza shumë të forta, ai apeloi për mbështetje të Prokurorisë së Posaçme.

“Sa i përket zotit Berisha, tani është nën akuzë të fuqishme nga ana e SPAK. Fillimisht për secilin të akuzuar, ekziston prezumimi i pafajësisë, deri sa pafajësia të dëshmohet në gjykatë. Akuzat janë të forta. Këtu bëhet fjalë për procese që përfshijnë prona të caktuara. Amerika e ka shpallur non-grata. Nuk bëhet fjalë për krime kavalieriteti, por për akuza penale”, tha Krichbaun.

Akuzat ndaj SPAK, Krichbaum i cilësoi si absurde dhe e krahasoi procesi ndaj Berishës me atë ndaj Tahirit dhe Ahmetajt.

“Deklaratat për politizim e SPAK janë absurde, duhet ta mbrojmë, jo ta sulmojmë. Këtu ka shumë Berisha, shumë Tahira e shumë Ahmetaj. SPAK po bën gjithçka në mënyrë të tillë që ata që më parë konsideroheshin të paprekshëm të ishin subjekt të ligjit. Siç ka qenë në Rumani ku kam thënë nuk ka vetëm një Nastase ka disa Nastase. Ka disa që kërkojnë ta bëjnë plaçkën e tyre shtetin”, tha deputeti gjerman.

Këtyre akuzave, Berisha iu përgjigj menjëherë gjatë bashkëbisedimit që pati me ndjekësit në rrjetet sociale.

“Zoti Krichbaum, që vjen dhe flet për ligjet naziste, duke aluduar, je një gënjeshtar, je një gënjeshtar. Nuk janë naziste ato, janë ligji bazë demokratik i Gjermanisë, mbi të cilën vendi yt, është sot një model në respektimin e të drejtave të njeriut dhe funksionimin e shtetit ligjor”, tha Berisha.

Berisha paralajmëroi dhe një padi në gjykatë për deputetin gjerman.

“Zoti Krichbaum, më vjen keq por të njoftoj sot se kam filluar që sot konsultimet me ekspertë ligjorë dhe u garantoj se do bëj çdo përpjekje për një proces të ndershëm ligjor kundër teje. Jo kundër Bundestagut, Bundestagu është një institucion që e dua shumë dhe e respektoj shumë. Ju kam njohur edhe juve, por lidhjet e tua me Lul Bashën nuk duhet t’i përdorësh për të mashtruar, për të dezinformuar një popull të tërë”, deklaroi kreu i Rithemelimit.

Nëse do të konkretizohet, kjo ndaj Krichbaum do të jetë padia e dytë që Berisha bën ndaj një zyrtari të huaj, pas asaj që ka bërë para dy vitesh ndaj sekretarit amerikan të shtetit, Blinken.