Kryesore Akuzat e SPAK ndaj Berishës, vjen reagimi i parë nga mazhoranca

Akuzat e SPAK ndaj Berishës, vjen reagimi i parë nga mazhoranca

Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve lidhur me masën e sigurisë të dhënë nga GJKKO për ish-kryeministrin Sali Berisha.

E pyetur nga gazetarët nëse është shkelur Kushtetuta për rastin e Berishës, ministrja Mirela Kumbaro në emër të qeverisë tha se nuk do japin koment, por do respektojnë ndarjen e pushteteve. Ajo theksoi se mazhoranca ka iniciuar ngritjen e SPAK dhe GJKKO dhe kanë luftuar që të punojnë të pavarura.

E pyetur nëse duhet të kishte një autorizim nga kuvendi lidhur me këtë gjë, Kumbaro u përgjigj: Kemi besuar që drejtësia të veprojë e lirë, ta respektojmë këtë institucion dhe punën që bëjnë përfaqësuesit e SPAK.

Pyetje: Pyetja ime ju drejtohet si anëtare e kabinetit qeveritar dhe ka të bëjë kryesisht me lëvizjet e fundit të SPAK dhe vendosjen e masës së detyrim paraqitjes për ish-kryeministrin Berisha. Gjykoni ju që procedurat e ndjekura janë konform ligjit dhe Kushtetutës duke qenë se ka pretendime se është shkelur për shkak se nuk është marrë autorizimi nga Kuvendi që kufizon lirinë e një deputeti.

Mirela Kumbaro: Në emër të qeverisë mund t’ju konfirmoj që ashtu sikurse çdo herë si anëtarë të qeverisë jemi pyetur për gjithë veprimtarinë apo vendimmarrjet e instancave të drejtësisë së SPAK por edhe të institucioneve të tjera të drejtësisë, ne nuk kemi bërë asnjëherë komente. Respektojmë ndarjen e pushtetit. Respektojmë më shumë se kushdo tjetër jo thjesht sepse e kërkon Kushtetuta, por sepse kjo mazhorancë ka qenë ajo që e ka themeluar, ka punuar, ka luftuar që ky sistem i drejtësisë, gjykata e posaçme dhe prokuroria e posaçme, të ngrihen, të funksionojnë në kushtet më të mira të mundshme. Në këtë kontekst nuk bën përjashtim asnjë veprim, të gjitha janë veprime procedurale të atyre organizatave, të këtyre entiteteve gjyqësore. Nuk kemi komentuar asnjë, nuk shoh asnjë arsye dhe të bëj asnjë lloj përjashtimi për rastin në fjalë.