Komisioni Juridik i Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin e Shteteve të Bashkuara shprehu shqetësimin për mundësinë e marrëveshjeve me pasoja të zbutura ndaj ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal në dy çështjet ndaj tij, si një përpjekje për të fshehur përmasat e shkeljeve të tij, për të mbrojtur reputacionin e FBI-së.
Sipas Zërit të Amerikës, ligjvënësi republikan Jim Jordan, në një letër drejtuar drejtorit të FBI, Christopher Wray shkruan se Komisioni po heton akuzat për politizim dhe qëndrim të njëanshëm brenda FBI në lidhje me çështjen penale kundër ish-agjentit special Charles McGonigal.
Ky Komision fillimisht kërkoi dokumente dhe informacione për këtë çështje nga FBI-ja më 2 shkurt 2023, por në letër thuhet se deri më sot, Byroja Federale e Hetimeve nuk e ka përmbushur këtë kërkesë jo të detyrueshme.
Ish-zyrtari i lartë i kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal pranoi në gusht fajësinë në një gjykatë në Nju Jork lidhur me akuzën për shkelje të sanksioneve amerikane ndaj Rusisë, duke punuar pas daljes në pension për oligarkun rus Oleg Deripaska, të cilin më parë ai e kishte hetuar.
Në këmbim të pranimit të fajësisë, prokurorët hoqën dorë nga akuza të tjera në lidhje me bashkëpunimin e zotit McGonigal me Deripaskën.
Në një proces tjetër në një gjykatë federale në Uashington, McGonigal është akuzuar se ka marrë rreth 225, 000 dollarë nga një ish-punonjës i shërbimeve të zbulimit të Shqipërisë.
“Pavarësisht një pagese shumë më të madhe nga ish-zyrtari shqiptar, sipas njoftimeve, McGonigal po negocion me prokurorët federalë në Uashington një marrëveshje të ngjashme për pranimin e fajësisë”, thuhet në letrën e ligjvënësit Jordan për drejtorin e FBI-së.