Pasi u mor i pandehur nga SPAK për korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim, kryetari i PD Sali Berisha ka dhënë detaje nga dosja.
Në një konferencë për mediat, ku mori pjesë online, Berisha tregoi se pjesë e hetimit janë dhe disa pagesa të kryera nga Argita dhe Jamarbër Malltezi në një fondacion që mbështet familjet që kanë fëmijë autik.
“Dumani, Kraja dhe Millonai nxjerrin se Argita dhe Jamarbër Malltezi paskan korruptuar mua dhe Liri Berishën sepse në mënyrë të përvitshme kanë paguar me bankë në fondacion tarifën e trajtimit të fëmijëve autikë të disa familjeve që nuk e paguanin dot atë që nga viti 2010 gjer në vitin 2022, dhe në total ky çift ka kontribuar me rreth 118 mijë euro”, tha Berisha.
Duke mos i kursyer akuzat ndaj SPAK, Berisha tha se për arrestimin e tij janë të interesuar edhe diplomatë të huaj.
“Të korruptuar janë diplomatët që kërkuan arrestimin e Sali Berishës. Publikisht e kanë bërë”, akuzoi ish-kryeministri.
Berisha paralajmëroi nisjen e protestave kundër qeverisë, por pa dhënë një datë konkrete.
“Lëvizja do nisë në kohën më të parë të mundshme dhe do jetë një lëvizje e pandalshme në të cilën PD duhet të përmbushë misionin e saj, rikthimin e votës së lirë shqiptarëve”, tha Berisha.
Nuk dha një përgjigje të qartë nëse vajza e tij Argita Malltezi do të jetë në listat për kandidat për deputet në zgjedhjet e ardhshme.
“Atë nuk e vendos unë, e vendosë vetë ajo. Nëse dëshiron primaret janë të hapura dhe nuk ka asnjë pengesë, por nuk e di a ka ndonjë ambicie apo jo”, theksoi Berisha.
Teksa përgatitet për zgjedhjet e ardhshme, PD këmbëngul në kërkesën e saj për ngritjen e një qeveri teknike, të cilën e shikon si një mundësi për të patur zgjedhje të sigurta dhe rrotacion politik.