“Asgjë nuk e përdhos dot luftën çlirimtare dhe sakrificën sublime të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe dinjitet njerëzor”, kështu shkruan kreu i PD-së, Lulzim Basha pasi Prokuroria Speciale publikoi aktakuzat e ngritura ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ku ata akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte.
Basha shkruan në Twitter se Thaçi, Veseli e të gjithë bashkëluftëtarët e tyre do t’i dëshmojnë sërish botës drejtësinë e kauzës së lirisë.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi për liri përballë një agresori që nuk kurseu asgjë, nga genocidi tek spastrim etnik kundër popullit te Kosovës. Kohë pas kohe shqiptarëve ju desh jo vetëm të luftojnë për ta fituar lirinë por edhe ta mbrojnë atë. Kam bindjen se Hashim Thaçi, Kadri Veseli e të gjithë bashkëluftëtarët e tyre do ti dëshmojnë sërish botës drejtësinë e kauzës së lirisë. Asgjë nuk e përdhos dot luftën çlirimtare dhe sakrificën sublime të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe dinjitet njerëzor”, shkruan Basha.
Ndërkohë, Monika Kryemadhi shkruan se Lufta e UÇK dhe popullit të Kosovës për çlirim nga gjenocidi i Millosheviçit, ishte një luftë e drejtë dhe legjitime si të gjitha luftërat për liri dhe të drejta njerëzore të popujve.
“Kjo luftë e mbështetur nga bota demokratike, nga vendet kampione të lirive dhe të drejtave të popujve, tashmë është çertifikuar nga drejtësia ndërkombëtare dhe u kurorëzua më pas me pavarësinë e Kosovës. Shpreh besimin e plotë që të gjithë udhëheqësit dhe përfaqësuesit e kësaj lufte kanë vepruar në realizim të misionit sublim të popullit për çlirim nga shtypja, për liri dhe dinjitet kombëtar. E drejta dhe liria e popullit janë gjithnjë ngadhënjyese! E drejta do të fitojë përsëri”, shkruan Kryemadhi.