Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi, publikoi disa të dhëna të TIMS-it që faktonin se ish-ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri ka bërë udhëtime sëbashku me përfituesit kryesore të parave të shtetit për inceneratorët, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.
“Ky nuk ka patur fatin e keq të bëjë aksident me Mirel Mërtirin si Arben Ahmetaj, por rezulton se ka udhëtuar 15 herë me përfituesit kryesorë të incineratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Ja ku janë të gjitha datat. Udhëtime me avion, makinë, anije, jaht, madje edhe charter. Prej ditës së parë në pushtet, kanë udhëtuar bashkë, kanë planifikuar bashkë dhe kanë miratuar që borxhin e marrë në emër të shqiptarëve ta çojnë tek incineratorët, fillimisht në Elbasan, me kontratën e vitit 2014.
Dokumentat tregojnë se Damian Gjiknuri ka udhëtuar me Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin 2 herë brenda 1 muaji, shumë pak javë përpara miratimit të koncesionit në qeveri, ku përgjegjës direkt ishte ai si Ministër i Ekonomisë dhe Energjitikës. E njëjta skemë është përsëritur sa herë miratohej një kontratë e koncesionit të incineratorëve.”– deklaroi Bardhi ndërsa tregonte dokumentin.
Po ashtu ai pyeti ish-ministrin Gjiknuri, se sa herë ka bërë pushime në shtëpinë “përfituesit të inceneratorëve” siç shprehet ai për biznesmenin Mirel Mërtiri në Maltë.
Gjiknuri i ka kërkuar Bardhit që të mos shpifë dhe nëse sekretari i Përgjithshëm i PD-së, i gjen dy udhëtime në Maltë, siç pretendon ai, të dalë dhe të thotë. “Dil këtu e thuaji. Ose iki unë, ose ikën ti”, tha Gjiknuri. Ndërkohë, Bardhi i sugjeroi Gjiknurit që të gjejë një avokat të mirë.
Damian Gjiknuri: Nuk doja ta merrja fjalën, por krejt rastësisht dëgjova emrin tim këtu krejt rastësisht. Ju keni një problem, pak më parë, ose edhe kur kam qëlluar të jem ministër keni bërë interpelancë për atë çështje. Madje ka qenë një zonjë këtu që u ngrit për atë punë. Juve problemin e keni me kontratat e inceneratorëve dhe si i kanë lëshuar ato apo me personat në fjalë edhe përpara se të ishin incerenatorët? Se s’po e kuptoj. E dyta, në ato kontrata, ministria që kam drejtuar nuk ka asnjë rol. Mos i ngatërroni gjërat. Nuk mund të them se ato janë kontrata të gabuara se nuk jam nga ata që them që meqë nuk kam firmosur unë, nuk them që nuk është bërë mirë vendi. Për skemën ekonomike që keni bërë kallëzim, çojeni deri në fund, nuk kam probleme me to. Por të përmendni këtu shpifje, jo Malta, jo ato, kjo nuk është etike për ty njëherë që mbahesh si jurist. Ti Gaz kaq e ke. Ti në jetë asnjë udhëtim nuk ke pasur. Maksimumi do rrish te hija e tij, sa të qëndrojë edhe ai në krye edhe do harrohesh bashkë me ta. Mos u mundo të ndërtosh karakterin tënd mbi shpifje me ato grafika që gjen. Nëse gjen që unë e kam vizituar më shumë se njëherë, vetëm njëherë e kam vizituar kur kam qenë ministër, kjo është e vërttë, por po gjete dy udhëtime në Maltë, o unë iki nga kjo sallë, o ti. Nëse gjen më shumë se një udhëtim, një kam qenë, në tetor të viti 2017 ose 2018 nëse gaboj. Nëse gjen të dytin në Maltë, ti duhet të japësh dorëheqjen. Dil këtu e thuaji. Ose iki unë, ose ikën ti.
Gazment Bardhi: Në fakt prisja të sqaroje këto udhëtimet me mafiozët e inceneratorëve, prisja përgjigje nëse ke ose jo llogari të fshehtë në Maltë, prisja të përgjigjeshe a ke apo jo shtëpi të fshehur me emrin e ndonjë prej miqve të tu? I kanë marrë 400 milionë euro këta, këta që udhëtojnë në charter, me jaht, me anije, me avion, me makinë.
Damian Gjiknuri: Ma gjej.
Gazment Bardhi: Ta gjej unë, ja ku e ke këtu TIMS-i.
Damian Gjiknuri: E njoh që në shkollë atë.
Gazment Bardhi: Shumë mirë që e njeh që në shkollë. Bën mirë të mos flasësh shumë se mund të përdoren si të dhëna publike kur të të thërrasin kur të japësh sqarime për këtë çështje dhe bën mirë të gjesh ndonjë avokat të mirë.