Drejtuesja e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato ka dhënë dorëheqjen. Kjo lëvizje vjen pasi Qato është kallëzuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda nga shoqëria “Gjoka Konstruksion” mbi dyshimet e se ka shpërdoruar detyrën, shkelur barazinë në tendera dhe ka kryer korrupsion. Kallëzuesit kërkojnë hetime përsa i takon skualifikimit të shoqërisë për ndërtimin e tunelit të rrugës Kardhiq-Delvinë.
Dorëheqja
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Qato njofton:
“Pas një periudhe të shkurtër pune, por shumë intensive, për të reformuar Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe për të krijuar një model transparence dhe profesionalizmi në këtë institucion, vetëm pak ditë më parë jam akuzuar nga një kompani lidhur me një procedurë, të cilën unë e gjykoj plotësisht të drejtë dhe ligjore.
Kjo situatë më ka vendosur në një pozitë të vështirë në raport me detyrën. Nga njëra anë më duhet të përballem me akuzat dhe procesin ligjor që shfaqen në vorbullën e pafundme të çudirave mediatike dhe nga ana tjetër duhet të administroj punën e përditshme dhe projektet infrastrukturore (pjesë e kësaj pune është edhe kompania që akuzon).
Jam e keqardhur për gjithë këtë zhurmë dhe e lënduar nga spekulimet jashtëzakonisht të mëdha në media mbi procedurat e ndjekura në respektim të ligjit dhe dokumentacionin zyrtar që ka të bëjë me rastin në fjalë. Por jam edhe në pamundësi normaliteti në një punë që s’ka as orar dhe as ditë pushimi, sepse kërkon angazhim ekstrem mendërisht e fizikisht.
Prandaj me mirënjohjen e sinqertë për Kryeministrin e vendit, i cili jo vetëm më besoi këtë detyrë të rëndësishme, por edhe më krijoi kushte të pavarësisë së plotë në drejtimin e institucionit, ndjeva sot detyrimin moral t’u bëj me dije dorëheqjen nga detyra që më është ngarkuar.
Jam e gatshme që të gjithë eksperiencën, dijen dhe integritetin tim ta vë në dispozicion të çdo detyre tjetër që mund të më kërkohet, por siç u mundova ta shpjegoj, e kam të pamundur të vazhdoj detyrën aktuale.
Faleminderit të gjithë bashkëpunëtorëve të mi dhe vazhdim të mbarë të një pune që kemi nisur mirë së bashku!”
Akuza
Në kallëzimin penal, përmes të cilit shoqëria “Gjoka Konstruksion” kërkon gjithashtu edhe shpërblimi i dëmit moral dhe ekonomik nga zonja Qato, pretendohet se jo vetëm është shkelur ligji, por është cënuar gjithashtu edhe siguria e shoqërisë nëpërmjet inspektimeve të njëanshme të ARRSH që konkluduan se kishte falsifikim dokumentash gjatë tenderimit.
Rruga Kardhiq-Delvinë ka një histori të gjatë dhe ende nuk po mbaron. Në tenderin për lotin 7 të rrugës Kardhiq-Delvinë garuan 6 kompani. Autoriteti Rrugor Shqiptar skualifikoi 5 ofertat më të ulëta duke shpallur fituese ofertën me çmimin më të lartë, atë të një bashkimi të katër shoqërive mes të cilave italianja “Ircop” dhe shqiptarja “Sulova”. Por vendimi i ARRSH u ankimua nga kompania Gjoka, e cila kishte paraqitur ofertën më të ulët në tender, saktësisht 4.3 milionë euro më pak se oferta që ARRSH shpalli fituese. Komisioni e gjeti të paligjshëm vendimin e ARRSH duke e urdhëruar atë të ndryshojë fituesin. Por Sonila Qato refuzoi ta zbatonte vendimin duke akuzuar kompaninë Gjoka se kishte falsifikuar dokumentat në tendera. Më pas Ministria e Infrastrukturës vendosi që ta mbyllë çështjen duke urdhëruar ARRSH që të anulojë gjithë procedurën sepse fondi do të përdoret në një tjetër projekt më prioritar.