Aktualitet Akuzat për përfshirje në skandalin e korrupsionit në Zimbabve, reagon biznesmeni shqiptar:...

Akuzat për përfshirje në skandalin e korrupsionit në Zimbabve, reagon biznesmeni shqiptar: Trillime, nuk jam Ilir Dedja

Biznesmeni shqiptar, Klodian (Mirel) Mërtiri, reagon për herë të parë pas akuzave të Partisë Demokratike për skandalin me korrupsionin e tenderit 60 milionë dollarë në Zimbabve për pajisjet mjekësore kundër COVID-19.

Përmes një deklarate që mban firmën e tij, Klodian Mërtiri mohon të ketë lidhje me këtë kontratë korruptive.

Sa i takon fotografisë së tij, ku shfaqej në krah të Presidentit të Zimbabvesë, biznesmeni shqiptar thekson se nuk ka asnjë lidhje me kontratën dhe se po përdoret qëllimisht për të krijuar skandal.

PD sot në një deklaratë për mediat deklaroi se Mërtiri është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol, ndërsa vetë biznesmeni thotë se të gjitha janë akuza të pabaza. Ai shton se nuk është Ilir Dedja, personi që është shpallur në kërkim nga Interpoli.

Reagimi për mediat i biznesmenit Klodian (Mirel) Mërtiri

Duke marrë shkas nga shumë publikime të bëra së fundmi në portale, media të shkruara dhe vizive, lidhur me emrin tim, unë Mirel Mertiri i datëlindjes 08/08/1978 deklaroj në përgjegjësinë time të plotë, se të gjitha spekulimet lidhur me implikimin tim në kontratën e përfolur në Zimbabve mes kompanisë Zviceriane Drax Consult Sagl dhe Natpharm janë të pavërteta.

Fotografitë e mia të publikuara gjerësisht në media, nuk kanë asnjë lidhje me kontratën në fjalë, por është përdorur qëllimisht për të krijuar skandal dhe dëmtuar reputacionin tim. Unë nuk jam Ilir Dedja.

Ditën e sotme kam ngritur Padi Penale për disa nga mediat të cilat kanë cenuar me dashakeqësi dinjitetin dhe integritetin tim me publikimet e tyre krejtësisht të pabaza.

Mirel Mërtiri