Bota Akuzat për spiunazh, arrestohet akademiku rus në Gjermani

Akuzat për spiunazh, arrestohet akademiku rus në Gjermani

Policia gjermane ka arrestuar një shkencëtar rus që punonte në një universitet, duke e akuzuar atë për spiunim për Moskën, thanë prokurorët të hënën. Një rast që rrezikon të ndezë më tej tensionet mes dy vendeve.

Prokurorët federalë thanë në një deklaratë se i dyshuari, i identifikuar si Ilnur N., ishte marrë në paraburgim të premten nën dyshimin se punonte për një shërbim sekret rus që nga fillimi i tetorit 2020 e deri më tani.

Ilnur N. ishte punësuar si asistent kërkimesh në një departament të shkencave natyrore dhe teknologjisë në Universitetin Gjerman, emri i të cilit nuk publikohet.

Hetuesit gjermanë besojnë se ai u takua të paktën tri herë me një anëtar të inteligjencës ruse midis tetorit 2020 dhe 2021. Në të dyja rastet ai dyshohet se kaloi informacion nga fusha e universitetit. Ai dyshohet se ka pranuar para në këmbim të shërbimeve të tij.

Autoritetet gjermane kontrolluan shtëpinë dhe vendin e tij të punës gjatë arrestimit. I dyshuari u paraqit para një gjykatësi të shtunën, i cili e ktheu atë në paraburgim.

As qeveria gjermane dhe as ajo ruse nuk bënë ndonjë koment të menjëhershëm mbi rastin.

Moska është në grindje me një numër kryeqytetesh perëndimore pas një grumbullimi të trupave ruse në kufijtë e Ukrainës dhe një seri skandalesh spiunazhi që kanë rezultuar në dëbime diplomatike.