Senati amerikan votoi të shtunën për ta shpallur të pafajshëm ish-Presidentin Donald Trump nën akuzën për nxitje rebelimi të ngritur nga Dhoma e Përfaqësuesve.
Senati votoi me 57 vota për ta shpallur ish-presidentin fajtor dhe 43 jo fajtor. Meqenëse në një gjyq në Senat kërkoheshin 67 vota, ose dy të tretat për fajësimin, ish-Presidenti Trump u shpall i pafajshëm.
Shtatë republikanë u shkëputën nga radhët e grupit të tyre dhe votuan pro fajësimit, por kjo nuk mjaftoi për demokratët që ta shpallin fajtor.
Trump e komentoi fitoren me një komunikatë, në të cilën fliste për “gjueti shtrigash”, ndërsa theksonte: “aventura ime politike sapo ka filluar”.
Tani Trump është i lirë të kandidojë sërish për Shtëpinë e Bardhë pas katër vitesh.
Kjo ishte hera e parë që një president amerikan kalonte për herë të dytë në një proces të tillë. Në janarin e vitit 2020, Trump u akuzua për abuzim të pushtetit dhe pengesë ndaj Kongresit, për historinë e furnizimeve me armë të Ukrainës dhe presioneve ndaj presidentit të të Ukrainës.
Prokurorët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe pala mbrojtëse paraqitën të shtunën pasdite argumentet e tyre përmbyllëse pro dhe kundër.
ARGUMENTET PËRMBYLLËSE
Në argumentet përmbyllëse, ligjvënësit demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve u kërkuan senatorëve që ta shpallin zotin Trump përgjegjës lidhur me akuzën për nxitje të rebelimit.
Prokurori kryesor demokrat, ligjvënësi Jamie Raskin, tha se turma e 6 janarit veproi sipas udhëzimeve të Trump dhe me miratimin e tij, duke shtuar se ish-presidenti dështoi të mbrojë ligjvënësit apo ish-nënpresidentin e zgjedhur nga ai vetë.
“Nëse kjo nuk përbën një bazë për fajësim, nëse ky nuk është një krim i rëndë dhe si dhe një akt i paligjshëm kundër republikës si dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, atëherë asgjë tjetër nuk mund të jetë. Presidenti Trump duhet të dënohet për të garantuar sigurinë e demokracisë dhe popullit tonë“, tha ai.
Avokatët e Trump, kanë argumentuar se gjyqi nuk duhej të ishte mbajtur, sepse Trump nuk ishte më në detyrë dhe thanë se komentet e tij në fjalimin që i parapriu trazirave ishin të mbrojtura nga amendamenti i parë i Kushtetutës.
Michael van der Veen, një nga avokatët e Trump, tha se ndaj klientit të tij nuk po zhvillohej një proces i rregullt dhe se zoti Trump nuk kishte nxitur dhunë.
“Pavarësisht se po shohim pamje me të vërtetë të tmerrshme lidhur me sjelljen e protestuesve kjo nuk ndryshon faktin që zoti Trump është i pafajshëm për akuzat kundër tij“, tha ai. “Akti i nxitjes nuk ka ndodhur kurrë”.
Demokratët kanë hedhur poshtë ato argumente, duke përfshirë dhe pohimin se ndaj ish-presidenti nuk u zhvillua një proces i rregullt ligjor.