Aktualitet Akuzohet për vrasjen me thikë të kunatit, Gëzim Gjini ekstradohet nga Shqipëria...

Akuzohet për vrasjen me thikë të kunatit, Gëzim Gjini ekstradohet nga Shqipëria në Itali

Ekstradohet nga Shqipëria në Itali, 30-vjeçari Gëzim Gjini që akuzohet se organizoi në dhjetor të vitit 2022, në Itali, vrasjen me mjet prerës, të bashkëshortit të motrës së tij, Petrit Cakën.

30-vjeçari u arrestua në Shqipëri, në muajin gusht të vitit 2023, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “Infra Atlas”, i cili në atë periudhë zhvillohej paralelisht në disa shtete dhe koordinohej nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit në Lion.

“Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Velletri, Itali, me vendimin e datës 17.07.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasje”, për të cilën Kodi Penal i Italisë parashikon deri në 30 vjet burgim”, njofton “Interpol Tirana”.

Hetimet

Për të fshehur vrasjen, Gëzim Gjini, e motra e tij dhe dy bashkëpunëtorët e tjerë tashmë të vënë në pranga e inskenuan ngjarjen si grabitje, ku Caka u vra pa mëshirë, duke u goditur disa herë me thikë.

Hetimet e autoriteteve italiane si dhe përgjimet e zhvilluara zbuluan të gjithë dinamikën e ngjarjes së rëndë. Konkretisht rezultoi se Gëzim Gjini dhe dy bashkëpunëtorët e tij ishin thirrur prej motrës së tij për të vënë në jetë planin e vrasjes. Autorët mbërritën në Itali në aeroportin e Romës më 10 Dhjetor, ndërsa vetëm 3 ditë më pas u ekzekutua Petrit Caka.

Ishte gruaja e tij që njoftoi karabinierët për ngjarjen duke deklaruar se ka gjetur në shtëpi trupin e pajetë të bashkëshortit të saj, thënie këto që rezultuan të pavërteta. Shkak për realizimin e këtij plani u bënë konfliktet e vazhdueshme mes çiftit, që shpesh herë sipas gruas kishin përfunduar me dhunimin e saj.