Klubi Al-Hilal nga Arabia Saudite i ka dërguar sulmuesit të Paris Saint-Germain, Lionel Messi një ofertë me vlerë mbi 400 milionë euro në vit duke e rritur me më shumë se 100 milionë nga ajo që u përfol në muajin janar.
Por duket se argjentinasi e ka refuzuar duke u shprehur se dëshira e tij është të vazhdojë karrierën futbollistike në Europë dhe për të garuar në Champions League.
Këtë të martë e përditshmja franceze L’Équipe, raportoi se Messi dhe PSG janë pranë një divorcit. Kjo pasi klubi parizien pretendon që për të rinovuar, Messi duhet të pranojë një ulje të madhe të pagës.
Në këto kushte duket se Barcelona është një opsion për kampionin e botës. Në Spanjë janë shumë optimistë për një rikthim të tij. Megjithatë, klubi katalanas është në pritje të raportit të Fair Play Financiar përpara se të bëjë ndonjë ofertë për Messin, të cilit i përfundon kontrata më 30 qershor.
Siç qëndrojnë gjërat, duket sikur e ardhmja e Messit, do të jetë ose te PSG ose te Barcelona. Por merkato e futbollit ka treguar se mund të ketë edhe surpriza.