Nasser Al Khelaifi, president i PSG-së, ka dhënë një intervistë për “MARCA”-n për të folur për projektin e ri të klubit të tij pas largimit të Leonardos dhe ardhjes së Luis Campos si këshilltar sportiv.
Numri 1 i PSG-së ka trajtuar të gjitha temat “e nxehta” të “Parc des Princes”. Al Khelaifi ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht largimin e Pochettinos dhe përjashton si mundësi emërimin e Zidane.
“Dua ta bëj të qartë se më ka pëlqyer Zidane si lojtar dhe më pëlqen edhe si trajner, por ne kurrë nuk kemi folur me të drejtpërdrejt apo tërthorazi”.
Al Khelaifi ka mbrojtur Kylian Mbappenë pas deklarata e të Florentino Pérezit se sulmuesi kishte ndryshuar mendje në dhjetë ditët e fundit:
“Kam refuzuar 180 milionë verën e kaluar nga Reali i Madridit sepse e dija që Kyliani donte të qëndronte te PSG-ja. Unë e njoh shumë mirë, e di se çfarë dëshiron ai dhe familja e tij, dhe ata nuk lëvizin për para. Ai ka zgjedhur të luajë këtu për qytetin e tij, klubin dhe vendin e tij dhe për projektin tonë sportiv. Ai mendon vetëm të luajë dhe të fitojë. Mbappé nuk ka ndryshuar, ai kurrë nuk ka dashur të luajë për Realin e Madridit.”
Për akuzat e presidentit të La Ligas, Javier Tebas, Al Khelaifi deklaroi: “Atë që bëjmë, e bëjmë sepse e dimë se mundemi. Nuk është në stilin tonë të flasim për liga, klube apo federata të tjera. Ne nuk po japim mësime dhe ne nuk do të lejojmë që dikush na japë mësime. Çdo vit është njësoj. Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë projektin tonë”.
Al Khelaifi gjithashtu ka shtuar se “Superliga ka vdekur”.