Sport Al-Khelaifi kërcënoi hapur një punonjës të Real Madridit: Do të të vras!

Al-Khelaifi kërcënoi hapur një punonjës të Real Madridit: Do të të vras!

Nasser Al-Khelaifi, presidenti i Paris Saint-Germain, tregoi zemërimin e tij me vendimin e gjyqtarëve për të mos fishkëllyer ndërhyrjen e Karim Benzema ndaj italianit Gianluigi Donnarumma, në golin e barazimit 1-1 të Real Madridit, që ishte fillimi i përmbysjes së madhe të të bardhëve. Ai tentoi të futej në dhomën e zhveshjes së gjyqtarëve dhe duke gjuajtur me grushte në derë theu flamurin e një asistenti, siç pasqyrohet në raport nga arbitri kryesor, holandezi Danny Makkelie.

“Pas ndeshjes, presidenti i PSG dhe drejtori sportiv, Leonardo, treguan sjellje agresive dhe tentuan të hyjnë në dhomën e zhveshjes së gjyqtarëve. Ata bllokuan derën. Presidenti me dashje goditi flamurin e njërit prej të asistentëve të mi, duke e thyer atë”, – ka shkruar arbitri.

Al-Khelaifi kishte zbritur në dhomat e zhveshjes së gjyqtarëve edhe pas ndeshjes së parë mes këtyre dy skuadrave për të kërkuar shpjegime, por këtë të mërkurë tensioni u rrit, kur u konfirmua eliminimi i PSG-së nga Champions League.

Siç mundi të mësonte EFE nga burime të Real Madridit, të pranishëm në vendngjarje, sheiku nga Katari ka zbritur duke “ulëritur” dhe kërcënuar një punonjës të ekipit të bardhë: “Do të të vras!” Punonjësi i klubit madrilen regjistroi momentin në fjalë, i cili do të analizohet nga UEFA, pasi i ka kërkuar Real Madridit videon në fjalë.

Al-Khelaïfi, sipas këtyre burimeve, u qetësua nga truprojat e tij më pas. Ka qenë edhe Leonardo, ai që ka shfaqur zemërimin e tij. Duke bërtitur, drejtori sportiv ka kërkuar që të fshihen pamjet nga celulari, i cili ka rënë përtokë gjatë sherrit.