Bota Alarm në Britani, rritet numri i të rinjve me simptoma të reja...

Alarm në Britani, rritet numri i të rinjve me simptoma të reja të koronavirusit

Deri më tani, moshat e reja janë lënë të qeta nga pandemia e koronavirusit. Por ditët e fundit mjekët e Emergjencës në Londër dhe qytete të tjera britanike dhe jo vetëm, raportojnë një rritje e jashtëzakonshme tek të rinjtë të disa sindromave të rënda që i shoqërohen koronavirusit.

Bëhet fjalë për inflamacione të ndryshme që po çojnë dhjetëra të rinj në terapi intensive. Fëmijët paraqesin probleme gastrointestinale, të vjella dhe diarre, të ngjashme me sëmundjen e Kawasakit.

Fëmijët me këto simptoma nga ky moment do të trajtohen me përparësi, si të infektuar të mundshëm me koronavirus, edhe pse disa fëmijë me këto simptoma kanë rezultuar negativë.

Shumë pak raste fëmijësh me COVID-19 janë  regjistruar në botë, ende më pak janë rastet e rënda. Arsyeja është parë në mungesën e sëmundjeve shoqëruese, si dhe në një shëndet më të mirë të mushkërive.

“Kemi folur edhe me kolegë italianë dhe spanjollë, dhe na raportojnë raste të ngjashme”, thotë  një mjek në një nga emergjencat e kryeqytetit britanik.