Alarmi i ngritur dje nga kreu i KLSH, Arben Shehu, në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave për akulloret e kontaminuara është bërë sërish sot pjesë e diskutimeve në këtë komision.
Kryetari Eduard Shalsi ka pyetur kreun e KLSH, Arben Shehu, se pse një çështje e vitit 2021 nuk është ngritur në raportet e mëparshme të KLSH- dhe paraqitet tani në 2024.
“Dje pas deklaratës tuaj kemi marrë shumë mesazhe shqetësuese nga qytetarët për akulloret e kontaminuara për të cilat AKU kreu veprimet e duhura menjëherë dhe i largoi nga tregu pas sinjalizimit. Po ju pyes direkt, çfarë ju shtyu në vitin 2024 të sillni çështjen e vitit 2021, që nuk e keni ngritur në raportet e viteve të mëparshme?”
Më pas Shalsi ka lexuar në komision disa mesazhe nga qytetarë të shqetësuar për këtë çështje pas deklaratave të kreut të KLSH.
“Dje është hedhur bombë, shashkë, quajeni si të doni. Ky komision është njohur me diçka. Shashkë apo e vërtetë, nuk di ta them. Këtij komisioni i janë shpjeguar efektet kancerogjene për një lëndë në akullore, e cila nuk është raportuar në vitin 2022 as në vitin 2023 nga KLSH. Për këtë çështje janë alarmuar njerëzit dje. Ne kemi përgjegjësi për të ballafaquar faktet për këtë çështje”, deklaroi Shalsi.