Një alarm për vendosjen e një bombe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, është dhënë paraditen e sotme, gjë që shkaktoi jo pak panik mes stafit dhe pasagjerëve, të cilët prisnin të niseshin në destinacionet e tyre. Por, pas kontrolleve të Policisë, rezultoi se alarmi ishte i rremë.
Menjëherë sapo morën informacionin, Njësitë anti-eksploziv dhe policia shkuan në vendin e ngjarjes, ku bënë evakuimin e stafit dhe pasagjerëve, shumë prej të cilëve priten me orë të tëra jashtë ambienteve të aeroportit për të marrë vesh se ç’do të bëhej me udhëtimet e tyre.
“Policia e Kosovës, sot në orët e paradites ka pranuar një informacion me përmbajtje kërcënuese, për mjete shpërthyese në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë. Bazuar në këtë informacion, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante, ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore, ku për shkaqe sigurie ka mbyllur përkohësisht aeroportin. Me qëllim të hetimit, kontrollit dhe masave të sigurisë, janë angazhuar njësitet relevante, andaj kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve”, sqaroi Policia e Kosovës pas marrjes së telefonatës kërcënuese për bombë në aeroport
Megjithatë, pas kryerjes së kontrolleve dhe hetimeve të ambienteve të aeroportit, rezultoi se alarmi ishte fals, dhe pritet rikthimi i normalitetit në të.