Sport Alban Hoxha i bindur: Do t’i shkaktojmë humbjen e parë Dinamos

Alban Hoxha i bindur: Do t’i shkaktojmë humbjen e parë Dinamos

Alban Hoxha është një ish në derbin e nesërm ndaj Dinamos. Nga Cërriku u transferua te blutë kryeqytetas, ku spikati si portier dhe bëri emër në futbollin shqiptar. Sot është në anën tjetër të barrikadës, ashtu si trajneri Ilir Daja.

Në konferencën për shtyp, kapiteni i të kuqve u shpreh: “Kemi luajtur mirë në 3 ndeshje, jemi penalizuar nga gabimet individuale. Duhet të kemi kujdes në mbrojtje, të mos gabojmë si më përpara. Loja do të jetë e njëjtë, thjesht të minimizojmë gabimet.

Kapiteni ka përgjegjësi kurdo, jo vetëm në derbi. Normal, barra më e madhe bie mbi ne lojtarët me eksperiencë. Ne duhet t’i marrim përgjegjësitë. Duhet t’i largojmë nga përgjegjësia djemtë e rinj. Po e bëmë si duhet ne detyrën, për të tjerët do të jetë më e lehtë.

Ne i analizojmë ndeshjet me video. Kemi biseduar dhe thelbi është që të gabojmë sa më pak në mbrojtje e të shfrytëzojmë rastet në sulm. Me Vllazninë patëm shumë raste. Po të finalizonim, do ta përmbysnim rezultatin. Edhe me Teutën, po të shënohej penalltia mund të shkonte ndryshe.

Edhe Dinamo do të humbasë, si të gjithë. Nuk kemi dëshirën më të madhe t’i shkaktojmë humbjen e parë, por të marrim fitoren për vete. Objektivi është të jemi sa më afër kreut. Dinamo është ekip i fortë, mbron mirë dhe ka sulm të rrezikshëm. Duke i parë këto, duhet të jemi të kujdesshëm prapa. Ne kemi lojtarë të talentuar dhe një grup të mirë. I kemi mundësitë edhe për të dalë kampionë, por kjo bëhet me punë dhe sakrificë. Kampionati është shumë i gjatë”.