Kompania “Albchrome”, pjesë e grupit Balfin – konglomerati më i madh industrial dhe tregtar në Shqipëri, është vënë në hetim administrativ nga Inspektorati Shtetëror i Punës, e akuzuar se ka larguar nga puna krerët e një sindikate të re, të sapo regjistruar nga minatorët e minierës së kromit në Bulqizë. Materiali në vazhdim, është në kuadër të bashkëpunimit të Zërit të Amerikës me rrjetin ballkanik të gazetarisë investigative, BIRN dhe është përgatitur nga gazetari Sami Curri.
Nëpërmjet një deklarate me shkrim, Inspektoriati i tha BIRN se ka nisur hetimet për shkelje të kodit të punës dhe ndërhyrje të kompanisë në veprimtaritë sindikale.
“U bë një grup minatorësh, prej 39 vetëve themeluesit e sindikatës së minatorëve të bashkuar të Bulqizës dhe vendosëm të krijojmë një sindikatë të re, për të mbrojtur interesin e punëtorit. Pas dy ditësh na thirrën në Tiranë, unë personalisht si kryetar i sindikatës që jam, me justifikimin e mungesave që kisha në punë. Nuk kishte lidhje me mungesat por shkaku lidhej me sindikatën që ishte shpall këtu në Bulqizë“, tha Elton Debreshi, Kryetar i Sindikatës Minatorët e Bashkuar të Bulqizës.
Në fillim të dhjetorit disa dhjetëra minatorë të minierës së Bulqizës, protestuan për gati një javë kundër vendimit të kompanisë për tëshkarkuar nga puna kreun e sindikatës. Edhe pse protesta ishte paqësore, policia procedoi penalisht 7 persona, të akuzuar si organizatorë dhe pjesëmarrës në tubime të paligjshme.
Më 3 dhjetor, kompania ‘Albchrome’ shkarkoi nga puna edhe Beqir Duriqin, anëtar i Këshillit Sindikal dhe përgjegjës i financave në Sindikatën Minatorët e Bashkuar të Bulqizës.
“Është hakmarrje për arsye se ne ngritëm sindikatën tonë, kjo në bashkëpunim sindikata e vjetër me kompaninë. Nuk i duan njerëzit e drejtë dhe të ndershëm që t’i kenë për komë. Duan njerëz që t’i komandojnë të jenë vegla e atyre”, tha Beqir Duriqi, anëtar i Këshillit Sindikal
Nëpërmjet një përgjigje me shkrim, kompania Albchrome mohoi të ketë ndërmarra masa disiplinore ndaj minatorëve për shkak të përfshirjes në sindikatë.
Profesioni i minatorit është një nga më të rrezikshmit në vend. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se vetëm në zonën e Bulqizës dhe Martaneshit kanë humbur jetën në aksidente në punë nga viti 2014 deri në vitin 2017, 27 minatorë, dhe në të gjitha rastet këto vdekje i janë faturuar pakujdesisë së viktimave.
“Për çdo lloj problemi që unë kam në punë nuk kam pse të shkoj tek drejtori, duke pasur një sindikatë që më përfaqëson. Mbi të gjitha është gjak i ri, janë punëtorë të ri dhe të paktën do të kërkojnë, do ta ngrejnë zonin,” tha Altin Kola, minator i kompanisë Albchrome.
“Realisht është punë shumë e vështirë,duke filluar nga lagështira, nga pluhurat, nga thellësia. Një pjesë e punëtorëve kanë lënë edhe një pjesë të trupit të atyre aty, duke përfshirë edhe prindin tim. Paga nuk është e mirë, kushtet janë shumë të vështira, thellësia e minierës vazhdon që të shkojë edhe më shumë,” shtoi Albion Kola, një tjetër minator i kompanisë.
Minatorët e Bulqizës që iu bashkuan grevës disa ditore më herët këtë muaj, shpresojnë që me organizimin e ri sindikal, kushtet e punës në minierë dhe përfaqësimi i kërkesave të tyre përballë drejtueseve të kompanisë do të përmirësohen.