Në Kosovë është zhvilluar sot konferenca “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ku vëmendjen kryesore e ka marrë fjala e liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Duke komentuar lëvizjet e fundit në spektrin politik rreth marrëveshjes Kosovë-Serbi për shkëmbim territoresh, Kurti tha se askush nuk ka të drejtë t’i falë Serbisë tokën e Kosovës.
“As dëshmorët ndër varre po u ngritën nuk kanë drejtë të falin tokë të Kosovës e lëre më të gjallët”, tha Kurti.
Kreu i VV u kthye edhe te demarkacioni me Malin e Zi, duke thënë se ishte një marrëveshje e keqe pasi “i kemi falë tokë këtij shteti”. Ai e ka cilësuar si të mirë moskorrigjimin e kufijve me Serbinë përmes “kompromisit të dhimbshëm”.
“Viti 2018 ka qenë vit i asaj që nuk ka ndodhur, korrigjim i kufijve me Malin e Zi dhe Serbinë. Së pari nuk ndodhi kufiri me Malin e Zi siç u premtua kur u morën votat në Parlament, dhe e dyta e që është gjë e mirë nuk ndodhi as korrigjimi i kufijve si kompromis i dhimbshëm me Serbinë”, deklaroi Kurti.
Ai përmendi edhe nënshkrimin e 33 marrëveshjeve me Serbinë gjatë procesit të dialogut, duke theksuar se duhet mbajtur seancë plenare në Kuvendin e Kosovës, për shqyrtimin e këtyre marrëveshjeve.
“Mos të shtiremi se nuk kemi marrëveshje me Serbinë, problemi është se kemi shumë marrëveshje plot 33 të tilla janë nënshkruar gjatë procesit të dialogut. Është e domosdoshme që në Kuvend të bëhemi bashkë dhe t’i trajtojmë këto 33 marrëveshje. Një seancë që e shqyrton dhe vlerëson procesin 6 vjeçar të dialogut është e domosdoshme”, u shpreh Kurti.
Lideri i VV-së, më tej shtoi se nuk duhet të magjepsemi për një marrëveshjen e ardhshme, kur i kemi këto 33 marrëveshje.
“Ne e dimë se çfarë do Serbia, ajo e thotë qartë delemitim me shqiptarët… shtrohet pyetja çka duam ne, a e kemi ne te qartë se çfarë duam karshi Serbisë. Në Kosovë pesë lider politikë i kanë gjashtë mendime, është mirë që ne të dakordohemi se çka duam prej Serbisë. Unë jam shumë optimist që për kërkesat tona ndaj Serbisë ne mund t’i arrijmë konsensus”, theksoi Kurti, duke lëshuar një sinjal të qartë se VV s’do të lëshojë pe ndaj atyre që duan ndarjen e Kosovës.