Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se në rast se do të mbahej ndonjë referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ai do të votonte pro.
Kurti i bëri këto deklarime përgjatë një interviste me Euronews, vetëm disa ditë pasi partia e tij Vetëvendosje fitoi zgjedhjet në Kosovë.
“Ne ende nuk kemi ligj për referendume në Kosovë, por dy referendume ndërmjet shtetit tonë dhe Shqipërisë do ta zgjidhnin një gjë të tillë”, – deklaroi Kurti, kur u pyet nëse e mbështet ende idenë e bashkimit kombëtar me Shqipërinë.
Ndër të tjera, Kurti ka folur edhe për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, për të cilin ka thënë se do kërkojë reciprocitet nga Serbia.
“Jam gati të përfshihem në një dialog ku ka përfitime. Por mendoj se nuk është e pranueshme për askënd në Kosovë, duke përfshirë edhe mua, që të përfshihen në një dialog ku supozohet se do të kompensojmë shtetin e Serbisë për humbjen e këtij shteti gjatë kohës së Millosheviçit. Serbia kreu gjenocid në Kosovë,” – u shpreh Kurti.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje ka kundërshtuar edhe furnizimin e Kosovës me vaksina anti-COVID nga Kina dhe Rusia, duke argumentuar se orientimi i Kosovës çdoherë ka qenë Perëndimi.