Në një intervistë përballë gazetares Mirela Milori në AbcNews kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti foli për takimin me kryeministrin Edi Rama.
Kurti thotë se e beson kryeministrin Rama që nuk e mbështet shkëmbimin e territorit.
“Kishim një takim 5 orësh, kishim një ndeshje miqësore 5 orëshe, e cila u ndërpre për 45 minuta kur erdhi Depardie. Më pas ne vazhduam për temat e rëndësishme për Shqipërinë e Kosovën e të dyja bashkë.
Kryeministri nuk e mbështet shkëmbimin e territorit, territori nuk është mall për shkëmbim. Besoj se pavarësisht me kryeministrin e Shqipërisë mund të kemi dallime e të përbashkëta jonë na imponojnë që të bashkëpunojmë si dy qeveri më mirë. Ashtu më tha dhe ashtu dua dhe më duhet të besoj”.
Lidhur me Hashim Thaçin, Kurti shprehet se nuk është prioriteti i tij shkarkimi i presidentit të Kosovës, por dorëheqja e tij do bënte mirë.
“Thaçi do të bënte mirë të tërhiqej se populli ka vendosur për ndryshim”, tha Albin Kurti.