Kryeministri i Kosovës u ankua për njëanshmëri ndaj vendit të tij nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe tolerancë ndaj atij që ai e quajti regjimi autoritar i Serbisë.
Në një intervistë për Associated Press, Kurti thotë se kabineti i tij ka një mendim tjetër. “Ne këmbëngulim se që të sillesh mirë me një autokrat nuk e bën atë të sillet më mirë. Përkundrazi”, tha kryeministri i Kosovës.
Të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi, përkatësisht Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak “vijnë tek ne me kërkesa, me kërkesat e palës tjetër”, tha Kurti në një intervistë për Associated Press.
AP kujton se së fundmi “serbët etnikë u përleshën me policinë e Kosovës dhe më pas me forcën paqeruajtëse të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, duke lënë 30 ushtarë dhe mbi 50 serbë të plagosur dhe duke provokuar frikën e rinovimit të konflikteve të përgjakshme në rajon”.
“Fuqitë perëndimore nuk duhet të kënaqin Beogradin, problemin rrënjësor të dhunës në Ballkanin Perëndimor”, thotë Kurti.
Agjencia ka intervistuar edhe Lars-Gunnar Ëigemark, kreun në largim i Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit, i njohur si EULEX. Ai thotë se gjatë konfrontimit të dhunshëm të javës së kaluar “pati lëndime shumë të rënda nga disa ushtarë të KFOR-it”.
“Kishte dhunë të llojit më të keq. Të gjithë thonë se jemi me fat që nuk ka pasur viktima”, shtoi ai. Pasi kësaj, NATO tha se do të dërgonte 700 trupa shtesë në veri të Kosovës.
Ëigemark tha se do të vinte koha kur policia civile e EULEX-it, e cila nuk ka më kompetenca ekzekutive, por vetëm “monitorimin dhe udhëzimin e policisë së Kosovës”, nuk do të jetë e nevojshme në Kosovë. “Por kushtet nuk janë ende për këtë” – tha ai. Diplomati evropian nuk përjashtoi që NATO mund të vendosë të sjellë “mijëra trupa ushtarake” në Kosovë.
“Nëse situata bëhet gjithnjë e më e paqëndrueshme, nëse fillon të përshkallëzohet përsëri, sigurisht, ky është një opsion”, tha ai.