Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka folur sërish lidhur me negociatat me Lidhjen Demokratike të Kosovës për një koalicion të mundshëm bashkëqeverisës. Kurti i tha Klan Kosovës se dy partitë janë pranë marrëveshjes.
“Në takimin e fundit ku dhamë propozimin tonë na është thënë se “do të kthehen në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së për ta marrë mendimin”. Nuk jam në dijeni se ka diçka të re në këtë aspekt, mirëpo është e domosdoshme të arrijmë marrëveshje të qeverisim bashkë.
Këtë na e kërkojnë qytetarët çdo ditë dhe këtë e ka kërkuar edhe vullneti i tyre më 6 tetor të vitit të kaluar dhe besoj që me përgjegjësi politike dhe me interes qytetaro-shtetëror, do duhej të ulemi dhe të merremi vesh dhe ta ngremë në këmbë Republikën e Kosovës”, tha Kurti.
Po ku kanë mbetur negociatat për marrëveshje mes VV dhe LDK-së?
“E kam thënë edhe më herët se jemi afër marrëveshjes – jemi aq afër sa që po u afruam edhe më merremi vesh, mirëpo nuk ka pasur takime këto 8 ditë, ndërkohë që unë jam përditë në Kosovë dhe jam i gatshëm dhe i interesuar”, tha Kurti.