Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë detaje për marrëveshjen për depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës. Ndërkohë vuri në pah nevojën për largim të masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.
Kurti në adresimin e tij para mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, tha se përmes dakordimit të së hënës në Bratislavë, 25 përqind e prezencës policore në dhe rreth objekteve komunale në veri do të zhvendosen diku tjetër ku kanë nevojë, po në ato komuna.
Kjo sipas tij po ndodh pasi në dy javët e fundit situata në komunën e Zvecanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit ka qenë shumë më e qetë. Ndërkaq, theksoi nevojën për zbatimin e plotë të marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi.
“Zëvendëskryeministri Bislimi ka arritur një dakordim me emisarin e Bashkimit Evropian Lajçak për këto pika. E para, Qeveria e Kosovës publikisht e tregon gatishmërinë e saj për të kontribuar në deeskalimin e situatës dhe mosndërmarrjen e hapave që mund të eskalojnë situatën në veriun e vendit. Kjo nënkupton edhe reduktimin e menjëhershëm të një të katërtës të policëve që janë brenda ndërtesave apo në afërsi të tyre. Pra 25% të prezencës policore do të zhvendosen diku tjetër në po ato komuna dhe do të vazhdojnë detyrën atje ku ka më shumë nevojë për ta, pasi konsiderojmë se pranë ndërtesave komunale situata tash e dy javë është krahasimisht shumë më e qetë. E dyta, Policia e Kosovës bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerësojnë gjendjen e sigurisë, në veçanti për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale. Kjo ishte kërkesë e jona që nga fillimi, duke qenë se sundimin e ligjit dhe qetësinë e sigurinë i shohim si interes të përbashkët të të gjitha palëve”, tha Kurti
Po ashtu, Kurti nënvizoi se mbështesin mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, por sipas legjislacionit në fuqi dhe pas stinës së verës.
“Qeveria e Kosovës përmes një deklarate publike mbështet mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat në veri të vendit dhe atë pas stinës së verës dhe në përputhje të plotë me kuadrin ligjor. Ne me këtë rast kemi përkushtimin për sigurimin e bazës së nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e këtyre zgjedhjeve. Për ne vazhdon të jetë me rëndësi që qytetarët e Republikës të kenë përfaqësim lokal për t’i përfaqësuar siç duhet. Por për të arritur këtë gjë duhet të krijohet ambienti i cili mundëson fushatën e mirëfilltë, pluralizmin politik, pjesëmarrjen e komuniteteve lokale dhe që garanton paprekshmërinë e votës. Në këtë kontekst duhet të kuptohet rëndësia që qeveria i jep sundimit të ligjit në secilën pjesë të vendit. Nuk mund të bëjmë kompromis me sundimin e ligjit, pasi ajo do të cenonte demokracinë. E katërta ka të bëjë me ftesën që BE-ja do të dërgojë për të dy kryenegociatorët. Këta do të ftohen në Bruksel me synim finalizimin e planit të sekuencimit, apo tabelën e implementimit për Marrëveshjen drejt normalizimit, pas të cilit do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes”.
Krahas këtyre, Kurti vuri në pah nevojën për largim të masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës. Pasi sipas tij, dy palët duhet të negociojnë mbi bazën e pozicioneve të barabarta.
Ai po ashtu theksoi se për suksesin e zbatimit të marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi, dy palët duhet të pranojnë publikisht se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme.
“Për suksesin e zbatimit të marrëveshjes bazike së pari të dy palët duhet të pranojnë publikisht se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme, gjë e cila nuk ka ndodhur ende nga pala serbe. Së dyti, marrëveshja duhet të zbatohen në plotëni, kjo nuk është e qartë për njërën nga palët. Së treti, zbatimi i neneve të marrëveshjes nuk mund të kushtëzohet dhe së katërti që të dy palët duhet të kenë mundësinë të negociojnë nga pozicione të barabarta. Kjo është cenuar prej vendosjes së masave të përkohshme kundër Kosovës nga ana e BE-së. Dakordimi i Bratislavës do të ndihmojë shumë në përqendrimin e fokusit në vendosjen e barazisë midis palëve që ndihmon zbatimin e marrëveshjes bazike”, përfundoi Kurti.