Kryeministri Albin Kurti ka ndarë një lajm shumë të mirë për mediat polake, ku ka thënë se Greqia është një ndër 5 vendet e BE që mund të jetë më pranë njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Në intervistë për “TVP World”, kreu i qeverisë theksoi se prej muajsh Kosova po punon fort në planin diplomatik për t’i bindur pesë vendet e mbetura të BE-së që njohja e pavarësisë është një gjë e duhur dhe realitet i pakthyeshëm.
“Kemi punuar fort në aspektin diplomatik, që ato t’i bashkohen shumicës së vendeve të BE-së. Greqia është në ballë të këtyre vendeve, e cila është afër njohjes së pavarësisë së Kosovës. Këtë e tregon edhe statusi i Zyrës sonë në Athinë”, ka theksuar kryeministri Kurti.
I pyetur edhe për një lloj njohje tjetër, atë digjitale, meqë Kosova nuk njihet as nga gjigant si Google, Kurti pati pak për të thënë.
“Me të gjitha kompanitë e mëdha, ose unë direkt, ose drejtor të agjencive shtetërore, apo ministra të kompanive kanë shkruar letra”.
Tha edhe se mosnjohja nga shtetet dhe organizatat ndërkombëtare e vështirëson më pas edhe procesin e njohjes digjitale.
Por, siç deklaroi Kurti, “është shumë e vështirë të bëhesh anëtar i OKB-së tani kur kemi në Këshill të Sigurimit anëtarë të përhershëm Rusinë dhe Kinën”.
Prandaj, “ne kemi nevojë të kompensojmë me diplomaci publike, ndihmë të miqve, në mënyrë që të njihemi sa më shumë që të jetë e mundur”.