Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar të hënën sulmet ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës.
Kryeministri Kurti theksoi se këto sulme në veri të Kosovës ishin terroriste dhe sipas tij për qëllim kishin të vrisnin punonjësit e policisë.
“Ne kemi dënuar ashpër këtë sulm, i cili ishte sulm terrorist. Nuk janë sulme mbi të mirat materiale, nuk janë sulme as mbi qytetarët, por janë sulme mbi policët dhe sulmet të cilat kanë pasur për qëllim të vrasin”, theksoi Kurti.
Këto komente kryeministri i bëri gjatë homazheve te shtatorja e Zahir Pajazitit në Prishtinë.
Sa i përket strukturave ilegale serbe dhe krimit të organizuar në veri, Kurti tha se nuk do të ketë tolerancë nga ekzekutivi dhe shteti i Kosovës.
“Me strukturat ilegale të Serbisë, me krimin e organizuar kurrë nuk do të ketë asnjë gram tolerancë nga qeveria e Kosovës, nga shteti i Kosovës, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga policia e Kosovës”, theksoi ai.
Kryeministri i Kosovës komentoi edhe mbi deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç lidhur me ardhjen e një aeroplani i Forcave Ajrore të Britanisë së Madhe në Prishtinë.
“Deklaratat të cilat vijnë nga Beogradi nuk bën kurrsesi që t’i merrni si fakte, këtë na e mëson edhe e kaluara jonë edhe e tashmja jonë. Natyrisht që ne e kemi shtuar shumë buxhetin për të mbrojtjen e Kosovës. Është rritur për 52 për qind buxheti në vitin 2022 krahasuar me vitin 2021”, tha ai.
Kurti foli edhe për marrëveshjen e për targat, i cili tha se më 21 prill është afati i fundit dhe shtoi se parimi i reciprocitetit është si thelb i çfarë do zgjidhje të ardhshme.
“Me datën 21 prill është afati i fundit kur do të duhej që të merreshin vesh për targat. Unë e di që parimi i reciprocitetit do të jetë aty. Ajo që e di që është e pa diskutueshme dhe e pa negociushme është parimi i reciprocitetit si thelb i çfarë do zgjidhje të ardhshme”, theksoi Kurti.