Kosova Albin Kurti: Serbia mund të na sulmojë, por ne jemi gati

Albin Kurti: Serbia mund të na sulmojë, por ne jemi gati

“Kosova është e përgatitur të qëndrojë kundër një sulmi të mundshëm nga Serbia pasi përkeqësimi i situatës me minoritetin serb mund të rezultojë në një konflikt të ri të armatosur.”

Kështu u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë për agjencinë e lajmeve, Reuters.

“Nuk duhet të përjashtojmë që këto politika agresive të Beogradit mund të kthehen edhe në një sulm kundër Kosovës në një mënyrë apo tjetrën. Ne jemi vigjilentë, por jo të frikësuar. Unë nuk po them se do të na sulmojnë këtë javë ose në vijim, por do të ishte krejtësisht e papërgjegjshme të përjashtohej, mundësia e rritjes së tensioneve dhe konflikteve të reja”, tha Kurti.

Kryeministri akuzon gjithashtu Rusinë, që është aleati kryesor i Beogradit dhe ka vendosur veton ndaj anëtarësimit të Kosovës në OKB, se po nxit tensione të reja etnike.

Më 31 korrik, u shkaktuan tensione në veri të Kosovës për shkak të vendimit për zbatimin e reciprocitetit të targave dhe letërnjoftimeve për serbët e veriut.

Këta të fundit bllokuan rrugët në shenjë proteste duke përdorur mjete të tonazhit të rëndë. Reciprociteti është shtyrë për në datën 1 shtator.