Ka qenë prioriteti kryesor ndër vite i Albin Kurtit bashkimi me Shqipërinë, por tashmë ai duket se ka hequr dorë nga ky premtim qe iu ka dhënë kosovarëve kur bënte opozitë ndaj Hashim Thaçit e Isa Mustafës. Në bashkëbisedimin me studentët e Universitetit të Kembrixhit në Londër, Kurti ka thënë se Kushtetuta aktuale nuk lejon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
“Kemi gjuhën e traditat e njëjta, kemi vetëdijen e përbashkët kulturore e historike. Nuk shoh që forcimi i Kosovës bie ndesh me aspiratat e Shqipërisë po aktualisht nuk kemi të drejtë t’i bashkëngjitemi dikujt sepse Kushtetuta sipas Ahtisaarit e ka bërë të mundur këtë.
Është krijuar përshtypja sikurse Kosova kur t’i bashkohet Shqipërisë duhet t’i japë pjesë nga territori i saj. Nuk mendoj se duhet ta rrezikojmë integritetin territorial të Kosovës, por prioriteti numër një janë puna dhe drejtësia. E kam fituar këtë mandat qeverisës me punë e drejtësi dhe dua ta bëj shtetin e Kosovës të fuqishëm edhe ekonomikisht edhe administrativisht”.
Kurti, ka deklaruar se Kosova, përkundër mosnjohjes nga Serbia, është duke bërë progres.
Sipas Kurtit ky është argumenti kyç që është përdorur me shtete si Greqia, Sllovakia dhe Rumania që ende nuk kanë bërë njohjen e pavarësisë. Kurti i ka bërë thirrje presidentit Vuçiç që t’i njohë dokumentet e Kosovës sepse nëse shkon me pasaportë kosovare në Serbi mund të arrestohesh.
Kosova fillimisht do t’i bashkohet programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s e pastaj do të hyjë në Bashkimin Europian.