Kryesore Albin Kurti thërritet në Prokurorinë Speciale. Qeveria hedh akuza për ndërhyrje të...

Albin Kurti thërritet në Prokurorinë Speciale. Qeveria hedh akuza për ndërhyrje të drejtësisë në procesin zgjedhor

Kryeministri Albin Kurti është thirrur si dëshmitar në Prokurorinë Speciale.

Lajmi është publikuar në faqen e Facebook-ut të zëdhënësit të qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Sipas fletëthirrjes, Kurti duhet të paraqitet në Prokurorinë Speciale në Prishtinë më 16 dhjetor. Në rast të mosparaqitjes, apo refuzimit për të dëshmuar, Kurti mund të dënohet me gjobë 250 euro.

“Teksa kryeministri Kurti ndodhet në mbledhje të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të përmbyllur listën e kandidatëve për deputetë nga koalicioni LVV, Guxo dhe Alternativa në zgjedhjet e vitit 2025, nga kryeministria më njoftuan se ka ardhur një ftesë për të nga Prokuroria Speciale”, njofton Kryeziu.

Sipas tij, kjo bëhet me qëllim për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të 2025, sikurse në 2021, që një vendim i gjyqësorit pamundësonte garimin e Kurtit në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

“Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor i cili ia kishte pamundësuar kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit 2021, kurse tash përmes kësaj ftese po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të 2025. Qëllimi mbetet i njëjtë. Metoda ka ndryshuar. Kjo është ndërhyrje e sistemit të drejtësisë në proces zgjedhor”.