Politika Albin Kurti tregon tre çështjet që diskutoi me Edi Ramën

Albin Kurti tregon tre çështjet që diskutoi me Edi Ramën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë detaje në lidhje me vizitën që zhvilloi të martën në Tiranë, ku takoi homologun shqiptar, Edi Rama.

Kurti u shpreh se temat e diskutimit ishin siguria kibernetike, energjia elektrike dhe rinisja e Procesit të Berlinit.

“Tema e parë e diskutimit tonë ishte siguria kibernetike. Isha shumë i interesuar të di më shumë për përvojën e tyre me sulmet e fundit kibernetike që kanë qenë shumë të dëmshme dhe kriminale. Sot e kemi themeluar agjencinë për sigurinë kibernetike me vendim të qeverisë në mbledhjen e sotme.

Sfidat e energjisë në javët e muajt në vijim në kuptimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe të çmimeve të përballueshme ku ju e dini që KEK dhe KESh bashkëpunojnë ngushtë.

Gjatë verës u kemi dhënë shumë energji elektrike në Shqipëri në mënyrë që ata të na ndihmojnë neve pastaj gjatë dimrit dhe kemi diskutuar për energjinë elektrike në përgjithësi, ata po i vendosin tash dhe e kemi njoftuar njëri-tjetrin se çka po ndodh në Kosovë e Shqipëri. E njoftova Ramën se ne jemi të parët në Ballkanin Perëndimor që e kemi marr këtë masën për shpërblimin për ata që kursejnë.

Tema e tretë, folëm për përgatitjet në dritën e rifillimit të procesit të Berlinit, sepse ju e dini që takimet e mëhershme të procesit të Berlinit janë bërë nga Angela Merkel, e tashmë do të bëhen nga kancelari i ri Olaf Scholz“, tha Kurti.

Hera e fundit kur janë takuar kryeministrat Kurti dhe Rama është mbledhja e përbashkët e dy qeverive, më 20 qershor.