Politika Albin Kurti vlerëson Kombëtaren në Europian: Ky grup lojtarësh na bëri krenarë,...

Albin Kurti vlerëson Kombëtaren në Europian: Ky grup lojtarësh na bëri krenarë, e ardhmja është premtuese

Rrugëtimi i Shqipërisë në “Euro 2024” mori fund pas humbjes ndaj Spanjës. Por paraqitjet mira të dhuruara në Europian japin optimizëm për të ardhmen. I këtij mendimi është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Me anë të një postimi në Facebook, Kurti vlerësoi skuadrën për performancën e treguar në fushë duke thënë se paraqitja e lojtarëve na bëri krenarë dhe se e ardhmja është premtuese.

“Në fushën e blertë u duk sikur jemi pjesëmarrës të rregullt, e jashtë saj dhe në shkallët e stadiumeve sikur ishim vendas. Ishte vetëm pjesëmarrja e dytë në një kampionat evropian.

Në fund, humbëm përballë Spanjës, tri herë kampione e Evropës dhe një herë kampione e Botës, dhe Italisë, dy herë kampione e Evropës e kampion në fuqi dhe katër herë kampione e Botës. Ndërkaq me Kroacinë, nënkampione e Botës në vitin 2018, barazuam në ndeshjen më të bukur të turneut deri më tani.

Ky grup lojtarësh na bëri krenarë. E ardhmja është premtuese. Pritjet që kishim janë vetëm dëshmia më e fortë për standardin që kemi vënë”, shkruan Kurti në rrjetet sociale.