Qeverisjes së kryeministrit izraelit, Beniamin Netanyahu duket se po i vjen fundi, teksa media të ndryshme raportojnë për krijimin e një koalicioni opozitar me mandat të përkohshëm. Në lojë është largimi i njeriut kryesor politik në Izrael përmes një aleanca të panatyrshme mes liderit opozitar, Yair Lapid dhe kreut të partisë së djathtë Yamina, Natali Benett që ka gjashtë vende kyç në parlament.
Afati i fundit për krijimin e kësaj qeverie mbyllet këtë të mërkurë, datë 2 qershor dhe sipas raportimeve të ndryshme, pritet ende miratimi nga partia e Benett. Agjencia “Reuters” shkruan edhe nëse një grupim i tillë bie dakord për qeverinë e re, atij do t’i duhet mbështetje më e madhe parlamentare që presupozohet se mund të vijë nga anëtarët arabë të Parlamentit, ndërkohë që vetë Benett, një ish-ministër i Mbrojtjes, ka ndryshuar disa herë qëndrim këto kohë.
Zgjedhjet e marsit nuk prodhuan shumicë, por problemi kryesor politik i gjeneruar prej tyre ka qenë fakti se në asnjë prej raundeve elektorale të kësaj dekade, nuk është arritur mposhtja reale e Netanyahut. Nëse Lapid nuk arrin të krijojë qeveri të mërkurën, Izraeli do të duhet të shkojë sërish në zgjedhje, të pestat që nga prilli i vitit 2019, një zhvillim ky të cilin Benett ka deklaruar se dëshiron ta shmangë.