Të enjten, dy liderët kryesorë europianë Emmanuel Macron dhe Olaf Scholz kanë bashkuar forcat kundër politikave të fundit të SHBA-së duke rrezikuar fillimin e një lufte tregtare mes Europës dhe SHBA-së.
Ndërsa Dega Ekzekutive e Bashkimit Evropian, Komisioni Evropian është haptazi pro-Uashingtonit, 2 fuqitë dhe ekonomitë më të mëdha të bllokut Gjermania dhe Franca kanë bashkuar forcat së fundmi kundër disa politikave kyçe të presidentit Biden të cilat sipas tyre kërcënojnë de-stabilizimin e tregjeve europiane.
Berlini dhe Parisi kanë bërë gjithashtu një paralajmërim ndaj Shteteve të Bashkuara duke dërguar edhe një mesazh të hapur për Bashkimin Evropian se ai duhet të fillojë të veprojë për të mbrojtur interesat e evropianëve mbi të gjitha.
Si Macron ashtu edhe Scholz kanë pasur mosmarrëveshje të forta me njëri-tjetrin për një sërë çështjesh, por acarimi i tyre me Joe Biden duket se po bashkon dy liderët më të fuqishëm të Evropës.
Javën e shkuar, gjatë një dreke të gjatë pune, presidenti francez Emanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz ranë dakord që disa plane të fundit të subvencioneve amerikane përfaqësojnë masa deformuese të tregut që synojnë të bindin kompanitë të zhvendosin prodhimin e tyre nga Europa drejt Shteteve të Bashkuara.
Në qendër të acarimit të Macron dhe Scholz me Biden është ‘Akti i Reduktimit të Inflacionit’, për të cilin udhëheqësit evropianë argumentojnë se synon të shkaktojë një eksod të kompanive dhe prodhimit nga Evropa drejt Shteteve të Bashkuara.
Ajo që i shqetëson liderët evropianë është fakti se programi i Bidenit me titullin ‘Bli Produkte Amerikane’, sidomos për sa i përket automjeteve elektrike, përbën një kërcënim të rëndë për industrinë e automobilave në Evropë.
Të përgatitur për t’u kundërpërgjigjur
Në thelb, ajo që liderët francezë dhe gjermanë duan tani është një kundërsulm ndaj lëvizjes së administratës Biden për të joshur kompanitë të ikin nga Evropa.
Franca dhe Gjermania duan që BE-ja të ndërmarrë veprime të ngjashme kundër SHBA-së duke zbatuar skema të ngjashme nxitëse për kompanitë në Evropë për të shmangur konkurrencën e pandershme ose humbjen e investimeve.
Të gjitha këto janë shenja të hershme të një lufte tregtare që mund të shpërthejë mes SHBA-së dhe BE-së.
Kjo mund të ketë pasoja të mëdha për të dyja palët në një periudhe tejet të trazuar, pasi edhe Amerika dhe BE-ja po luftojnë për të përballuar pasojat e luftës në Ukrainë dhe krizën energjetike që erdhi si pasojë e saj.
Pasi u kundërshtuan publikisht, Olaf Scholz dhe Emanuel Macron kanë gjetur diçka për të cilën bien dakord: ngritjen e alarmit mbi konkurrencën e pandershme nga SHBA-ja dhe nevojën që Evropa të reagojë.
Kancelari gjerman dhe presidenti francez diskutuan shqetësimet e tyre të përbashkëta gjatë gati tre orësh e gjysmë bisedimesh gjatë një dreke me peshk, verë dhe shampanjë në Paris ditën e mërkurë.
Të dy udhëheqësit ranë dakord se BE-ja nuk mund të qëndrojë ‘me duar në xhepa’ nëse Uashingtoni ecën përpara me Aktin e tij për Reduktimin e Inflacionit, i cili ofron ulje taksash dhe përfitime energjie për kompanitë që investojnë në tokën amerikane. Në mënyrë të veçantë, legjislacioni i nënshkruar së fundmi i SHBA-së inkurajon konsumatorët të Blejnë Produkte Amerikane nën sloganin “Buy American” sidomos kur bëhet fjalë për zgjedhjen e një automjeti elektrik – një veprim veçanërisht i hidhur për industritë kryesore të makinave si Franca dhe Gjermania.
Mesazhi nga dreka e Parisit është i qartë: Nëse SHBA-të nuk tërhiqen, atëherë BE-ja do të duhet të kundërpërgjigjet. Skema të ngjashme nxitëse për kompanitë do të nevojiten për të shmangur konkurrencën e pandershme ose humbjen e investimeve. Ky veprim do të rrezikonte të zhyste marrëdhëniet transatlantike në një luftë të re tregtare.
Macron ishte i pari që bëri publik paralajmërimin e ashpër
“Ne kemi nevojë për një Akt të Blerjes Evropiane si amerikanët, ne duhet të rezervojmë [subvencionet tona] për prodhuesit tanë evropianë,” tha presidenti francez të mërkurën në një intervistë me kanalin televiziv France 2, duke iu referuar veçanërisht subvencioneve shtetërore për makinat elektrike.
Macron përmendi gjithashtu shqetësime të ngjashme për konkurrencën e subvencionuar nga shteti nga Kina: “Ju keni Kinën që po mbron industrinë e saj, SHBA-në që po mbron industrinë e saj dhe Evropën që është një shtëpi e hapur,” tha Macron, duke shtuar: “[Scholz dhe unë] kemi një konvergjencë të vërtetë për të ecur përpara për këtë temë, patëm një bisedë shumë të mirë.”
Ç’është më e rëndësishmja, Berlini – i cili tradicionalisht ka qenë më ngurrues kur bëhet fjalë për përballjen me SHBA-në në mosmarrëveshjet tregtare – me të vërtetë po mbështet shtytjen franceze. Scholz pajtohet se BE-ja do të duhet të ndërmarrë kundërmasa të ngjashme me skemën e SHBA-së nëse Uashingtoni refuzon të adresojë shqetësimet kryesore të shprehura nga Berlini dhe Parisi.
Në fillim të këtij muaji, Scholz tha publikisht se Evropa do të duhet të diskutojë Aktin e Reduktimit të Inflacionit me SHBA-në “në thellësi të madhe”.
Në një goditje ndaj bërthamës industriale të Gjermanisë, gjiganti kimik BASF njoftoi planet të mërkurën për të reduktuar aktivitetet e tij të biznesit dhe vendet e punës në Gjermani, me shefin e kompanisë Martin Brudermüller i cili përmendi rritjen e çmimeve të gazit – të cilat ai i kritikoi se ishin 6 herë më të larta se në SHBA – gjithashtu si arsye rritja e rregullores së BE-së.
Megjithatë, përpara se kjo situatë të tensionohet edhe më tej, duket se Scholz dhe Macron duan të përpiqen të arrijnë një zgjidhje të negociuar me Uashingtonin dhe përgjigja e Biden ndaj liderëve të BE-së do të shihet në ditët në vazhdim.
Për më tepër, ministrat e tregtisë së BE-së do të mblidhen për një takim jozyrtar në Pragë të hënën e ardhshme, me të dërguarin e tregtisë së SHBA-së Katherine Tai që planifikon të marrë pjesë për të diskutuar tensionet, shkruan Politico.eu