Eduard Kukan, përfaqësues i partive të djathta europiane, në një prononcim për Report Tv, thotë se djegia e mandateve nuk është një ide e mirë.
“Unë nuk pajtohem me bojkotin e parlamentit. Iniciativa të tilla nuk kontribuojnë në situatën tashmë të tensionuar politike. Unë mendoj se politikanët në Shqipëri duhet t’u drejtohen institucioneve demokratike dhe mandateve që u janë dhënë nga qytetarët me më shumë përgjegjësi” tha Kukan.
Eurodeputeti shprehet i shqetësuar për përshkallëzimin e tensioneve politike, duke thënë se është “një kohë kritike për Shqipërinë në drejtim të përmbushjes së reformave. Por mbi të gjitha, për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian”.
“Do të ishte për të ardhur keq nëse ky vendim do të shkaktonte ngadalësim në procesin e integrimit në BE. Hapja e negociatave është diçka që shumica dërrmuese e shoqërisë shqiptare pret. Sipas mendimit tim, të gjithë politikanët shqiptarë duhet të punojnë 150% për tu siguruar që vendi të mos humbasë mundësinë për të hapur negociatat e pranimit”, tha Kukan.
Ai thotë se zgjidhja duhet të vijë përmes një dialogu.
“Kam përsëritur gjithmonë se Shqipëria ka nevojë për një dialog politik konstruktiv dhe të qëndrueshëm për të arritur potencialin e plotë demokratik. Situata aktuale politike nuk duket se po e ndihmon vendin për të lëvizur përpara“, shprehet ai.