Masimiliano Alegri nuk i kurseu komplimentat për paraqitjen fenomenale të Paolo Dibalës, në ndeshjen e fituar me rezultatin 3 – 0 ndaj Kievos. Tekniku italian foli dhe për një tjetër argjentinas, pikërisht Gonzalo Higuain.
Dibala
“Është një kënaqësi ta shohësh atë, teksa luan si në ndeshjen e sotme. Ndoshta është i pak i zhgënjyer pasi nuk shënoi, por do të bëhet një lojtari i madh. Ai fillon të humbasë kthjelltësinë nëse luan në një pozicion më të tërhequr dhe shpeshherë kjo bën që ai të humbasë motivin. Kjo është rruga e duhur për të”.
Higuain
“Nuk e di akoma. Kam punuar me të për dy vite dhe gjithçka shkoi mirë, por nëse nuk gjen “kiminë” e duhur, fatkeqësisht nuk mund të japësh më të mirën tënde”
Emre Can
“Ai kreu një ndeshje të mirë, por duhet të punojë më shpejt me topin”.
Interesant ishte dhe komenti për Aleks Sandron, të cilin sezonin e kaluar, Alegri e dërgoi në stol, duke i besuar ganezit Asamoah, por duket se rinovimi i kontratës ka përmirësuar raportin mes klubit lojtarit dhe trajnerit: “Aleks Sandro po luan si një lojtari i vërtetë këtë sezon”, tha Alegri.
Ronaldo
Alegri, e justifikoi Kristiano Ronaldon për humbjen e penalltisë, ndërkohë që skuadra e tij fitoi 3-0 ndaj Chievo, në sfidën e radhës të Serie A, të hënën.
Douglas Costa, Emre Can dhe Daniele Rugani ishin autorët e golave për bardhezinjtë, që e shohin veten me nëntë pikë më shumë se ndjekësit më të afërt, në krye të klasifikimit.
Alegri tha se fitorja e skuadrës së tij, jo penalltia e Ronaldos, ishte më e rëndësishmja, edhe pse pranoi se sulmuesi portugez ishte shumë i etur për të shënuar në pjesën e parë: “Penalltitë janë të rëndësishme, por mund të ndodhë që të gabosh, – tha trajneri i kampionëve italianë në konferencë shtypi.
– Nuk mendoj se kjo është hera e parë, që Ronaldo humbet penallti në karrierën e tij. Gjëja më e rëndësishme është se skuadra e fitoi ndeshjen në fund.
Ronaldo donte të shënonte edhe në pjesën e dytë, teknikisht luajti shumë mirë. Në pjesën e parë, ai po nxitonte shumë për ta gjetur rrugën e rrjetës. Në pjesën e dytë, kur po luante futboll më të lehtë, pati dy, ose tri raste të mira.”
Kujtojmë se Cristiano Ronaldo ka shënuar 14 gola në Serie A, deri më tani, këtë sezon, ndërsa shpreson ta shtojë këtë “llogari” të dielën, në transfertën me Lazio.