Tani ai është në nivel të lartë ndërkombëtar, pjesë e kombëtares së Brazilit, i lakmuar nga klubet më të mira të Europës. Megjithatë, për të mbërritur deri këtu, Alex Sandro i është dashur të luftojë fort. Që nga goditjet e para të topit në vendlindje deri në majat e larta me kombëtaren e bardhezinjtë, ai nuk ka qenë gjithmonë sinonim i parave dhe famës.
I intervistuar nga prezantuesi Raiam Santos, braziliani rrëfeu kohërat, në të cilat ishte e vështirë të mbulonte shpenzimet deri në fund të muajit, për shkak të një rroge të ulët. Në çdo rast, ajo nuk kishte qenë e mjaftueshme për të jetuar me dinjitet. “Kur u bashkova me ekipin e të rinjve të Atletico Paranaense, në moshën 15 vjeç, fitoja vetëm 100 dollarë në muaj. Sidoqoftë, klubi më ofroi gjithçka: strehim, ushqim dhe shkollë.
Kësisoj, harxhoja 50 dollarë nga ato para dhe e ruaja pjesën tjetër. Fitorja ime e parë e madhe, falë futbollit, ishte kur ruaja 300 dollarë dhe ua jepja prindërve, që i përdorën për të rregulluar fasadën e shtëpisë sonë. Nuk mund të blija asgjë për veten, në ato momente duhej të ndihmoja familjen time”.
Edhe sot, Alex Sandro mendon për atë periudhë, duke u ndier disi në faj për jetën e rehatshme aktuale: “Shumë herë dal me familjen time dhe harxhoj 300, ose 400 euro. Pastaj pyes veten se sa realitete braziliane do të prekja me shpenzimin e kaq shumë parave në vetëm një natë”.