Presidenti i zgjedhur Bajram Begaj zhvilloi paraditen e së dielës një takim me ish-presidentin Alfred Moisiu.
Takimi zgjati 1 orë e 30 minuta dhe u realizua në Baldushk, aty ku po qëndron ish-presidenti.
Moisiu u shpreh se gjatë takimit ndanë mendime për situatën aktuale dhe përvojën e tij në drejtimin e vendit.
Ai tha se i dhuroi dy libra presidentit aktual të Republikës. Njëri nga librat ishte libri i tij i ardhshëm “Midis Nanos dhe Berishës”.
Pas takimit të zhvilluar me Alfred Moisiun, presidenti i zgjedhur Bajram Begaj ka bërë publike një foto me ish-presidentin. I përulur dhe i nderuar, shkruan Begaj, që është pranë një burri të urtë e patriot si Moisiu, i cili tashmë i përket historisë së vendit si president i të gjithë shqiptarëve.
“I përulur dhe i nderuar pranë këtij burri të urtë dhe patriot, i cili tanimë i përket historisë së vendit tonë si një president i të gjithë shqiptarëve. Me të gjithë shqiptarët dhe për të gjithë shqiptarët. Faleminderit me mirënjohje për bekimin tuaj zoti President, Alfred Moisiu!”, thotë Begaj.
Begaj dhe Moisiu kanë të dy njohje disa vjeçare ushtarake.
Bajram Begaj është zgjedhur Presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë. Në votimin që u krye në seancën plenare në Kuvend, morën pjesë 83 deputetë.
Begaj u zgjodh me 78 vota pro, teksa 4 deputetë votuan kundër dhe pati një abstenim.