Kryeministri dhe kryetari i PS Edi Rama i ka propozuar Alfred Pezës që të përfshihet në listat e deputetëve të Partisë Socialiste.
Propozimi iu bë gjatë ditës së sotme në një takim mes të dyve, por Alfred Peza e ka refuzuar këtë propozim.
Lajmi është bërë publik nga vetë Peza, i cili gjatë mandatit të parë të socialistëve, ka qenë deputet i Kuvendit.
Në sqarimin e tij publik, Alfred Peza thotë se “karrigia e deputetit nuk është më për të në këtë fazë të jetës”.
Sikurse shprehet vetë, ka vendosur që vendin e tij t’ja lërë të tjerëve që dëshirojnë të kontribuojnë për Partinë Socialiste.
Reagimi i Alfred Pezës:
Të dashur miq!
Sapo mbarova një takim me Kryeministrin Rama dhe kam dëshirë të ndaj me ju arsyen dhe përfundimin e takimit.
Kryeministri më kërkoi gatishmërinë për të qenë pjesë e skuadrës së deputetëve, për zgjedhjet e 25 Prillit 2021, duke vlerësuar kontributin tim si deputet më parë dhe si person i angazhuar në debatin publik më pas.
Më erdhi mirë që në vlerësimin e tij, ai nënvizoi se në debatin publik kam kontribuar jo si “partizan”, po si qytetar i angazhuar. Natyrisht me bindje e kahje në mbështetje të punës së kësaj maxhorance, por pa e shkelur kurrë etikën dhe pa i hyrë kurrë në hak partizançe palëve të tjera.
E falenderova Edi Ramën për këtë interesim, që e konsideroj të posaçëm pasi nuk është në stilin e punës së tij! U ndjeva mirë duke e ditur edhe që listat janë plotësisht në dorën e drejtuesve të qarqeve, deri kur ata të vijnë nesër në zyrën e Ramës në PS para mbledhjes së kryesisë në mbrëmje.
Por refuzova:-)
I thashë kryeministrit dhe po ju’a them të gjithëve se jam ndjerë i privilegjuar që kam përfaqësuar edhe më parë, vullnetin elektoral të qytetarëve në Kuvendin e Shqipërisë. Por karrigia e deputetit nuk është për mua në këtë fazë të jetës dhe aktivitetit tim!
Unë do të qëndroj në krah të Edi Ramës sepse besoj tek ai dhe puna e tij, pavarësisht nga pozicioni që mund të kem në raport me sfidat e maxhorancës që do të rikonfirmohet me siguri në 25 Prill. Ka plot të tjerë PS, që e duan më shumë se unë dhe e bëjnë po aq mirë apo më mirë se unë punën e deputetit, kështu që më shumë kënaqësi vendin tim ia lë kujtdo prej tyre në Kuvendin e Shqipërisë.
Mbetem si gjithmonë i përkushtuar për të dhënë kontributin tim maksimal, për këtë familje politike, ku jam ndjerë mirë që ditën e parë dhe do të jetë kënaqësi e krenari për mua të anazhohem krah miqve deputetë, qoftë në fushatë dhe qoftë në çdo sfidë të terrenit pas fitores!
Urime dhe suksese te gjithëve! Së bashku për Shqipërinë!