Politika Alibeaj përjashton zyrtarisht nga grupi parlamentar Shehun, Bylykbashin, Këlliçin dhe Shehajn

Alibeaj përjashton zyrtarisht nga grupi parlamentar Shehun, Bylykbashin, Këlliçin dhe Shehajn

Nga nesër Tritan Shehu, Oerd Bylykbashi, Belind Këllici dhe Agron Shehaj nuk do të jenë më pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Ky njoftim ka ardhur nga zyra e shtypit e kreut të grupit demokrat Enkelejd Alibeaj, i cili i referohet përfundimit të afatit 1- vjeçar të dhënë ndaj tyre, për distancimin e plotë dhe publik nga aktet e dhunës ndaj Partisë Demokratike. Sipas njoftimit, vendimi erdhi në mungesë të distancimit të këtyre akteve.

Kjo vjen pasi deputeti i PD Ervin Salianji ka nisur takimet me kolegë të tij për të gjetur mënyra e tentativa të tjera për bashkimin e PD. Një nga mënyrat për të bashkuar grupin parlamentar të PD që Salianji po e diskuton me deputetët është zëvendësimi i kreut të grupit Enkelejd Alibeaj.

Njoftimi i zyrës së shtypit të Enkelejd Alibeaj

Sot, më datë 10.01.2023, ka përfunduar afati 1 vjeçar për distancimin e plotë dhe publik nga aktet e dhunës ndaj Partisë Demokratike të deputetëve të pezulluar Tritan Shehu; Oerd Bylykbashi; Belind Këlliçi dhe Agron Shehaj. Në mungesë të aktit të distancimit, sipas vendimit nr.1 dhe nr. 1/1, datë 10.01.2022 të Kryesisë së Partisë dhe konfirmimit të Këshillit Kombëtar dhe Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike në mbledhjen e datës 15.01.2022, nga sot hyn në fuqi masa e largimit zyrtarisht të tyre nga Grupi Parlamentar. Për këtë qëllim, është njoftuar zyrtarisht Kuvendi i Shqipërisë që deputetët Tritan Shehu; Oerd Bylykbashi; Belind Këllici dhe Agron Shehaj nuk janë më pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike duke filluar nga data 11.01.2023.