Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj u propozoi deputetëve të PD-së një platformë për bashkimin e Partisë Demokratike, të premtën.
Kjo draft-platformë nuk ka marrë ende formën përfundimtare, ndërsa po diskutohet mes deputetëve të PD-së.
Drafti i quajtur “Platformë parimesh” përbëhet nga 6 pika, zbatimi i të cilave do të sillte “ndërprerje të menjëhershme të konfliktit të brendshëm në PD” sipas Alibeajt.
Pikat e propozuara nga Alibeaj vijojnë si më poshtë:
1- Grupi Parlamentar i PD apelon me forcë për shmangien e gjuhës së urrejtjes, shantazhit, përçarjes, fyerjes dhe arrogancës mes demokratëve dhe i bën thirrje secilit anëtar të Partisë të reflektojë dhe të heq dorë nga cdo pozicionim i deritanishëm përçarës mes demokratëve.
2- Anëtarët e Grupit Parlamentar të përjashtuar apo pezulluar nga grupi me vendim të Këshillit Kombëtar të datës 12 janar 2022, rikthehen në grup, si anëtar me të drejta të plota.
3- Anullohet çdo proces i njëanshëm riorganizimi apo ngritje të strukturave lokale të partisë, apo mbledhje të strukturave qendrore të partisë, duke e shtyrë në një kohë të përshtatshme që përcaktohet në përputhje me rregullat e caktuara në këtë dokument.
4- Grupi Parlamentar ngre një grupi pune të përbashkët për hartimin dhe ndjekjen e zbatimit të planit të detajuar për realizimin e bashkimit të partisë (nga baza në qendër). Grupi i Punës propozon rregullat dhe kalendarin e procesit, si dhe planin e detajuar të riorganizimit të strukturave të partisë nga poshtë-lart, të cilat miratohen në një mbledhje të posaçme të Grupit Parlamentar.
5- Grupi i Punës i ngritur nga Grupi Parlamentar përcakton strukturat zbatuese të këtij plani ribashkimi. Zbatimi i këtij plani administrohet tërësisht në qendër nga GPPD, kurse në nivel dege dhe ne nivel grupseksioni, realizohet nga grupe pune të përbashkëta të monitoruara nga GPPD. Detyrat e secilit grup, në nivel dege apo grupseksioni, realizohen sipas këtyre hapave konsekutivë:
Hapi 1: Certifikimi i anëtarësisë aktuale, dhe paralelisht me këtë të realizohet hapja dhe pasurimi i anëtarësisë me përfaqësues nga çdo shtresë e shoqërisë që ideologjikisht janë afër vlerave dhe programit të PD. Të përcaktohen kritere dhe procedurë e qartë e identifikimit dhe anëtarësimit.
Hapi 2: Fillimi i procesit të zgjedhjeve në nivel seksioni, grupseksioni dhe dege. Grupi i punës të shërbejë si filtër i kandidaturave për secilin nivel. Në raste mosmarrëveshjesh, çështja zgjidhet nga GPPD.
Hapi 3: Më pas zhvillohet procesi i zgjedhjes së kryetarit të Partisë. Marrja e propozimeve për kryetar të PDSH, përcaktimi i kritereve të kandidimit dhe filtrimi i kandidaturave të bëhet nga grupi parlamentar me votë të fshehtë. Të drejtën për të kandiduar e ka çdo demokrat që plotëson kriteret e përcaktuara.
6- Grupi Parlamentar ngre grupe pune për nisjen e një fushate ndërgjegjësuese në bazë me qëllim bashkimin mes demokratëve, si dhe përgatitjen e partisë për zgjedhjet e ardhshme lokale.