Qytetit të Memaliajt, ashtu si në talentet e tjera, nuk i kanë munguar edhe ajo e stilimit të rrobave dhe një nga këto është stilistja, Alie Nika.
Mbiemrin e vajzërisë e ka, Malka, vajzë e Tajane dhe Demir Malka, në një ndër pak familjet e para, që në fillimet e qytetit të Memaliajt. Si nga familja e nënës së saj me mbiemër Demiraj dhe nga babai, kanë ndihmuar LANÇ-re. Babai i saj, Demir Malka ka qenë i përfshirë me LANÇ-re, duke luftuar për 6-muaj me çetat vullnetare të zonës dhe u tërhoqë nga familja, pasi ishte djal i vetëm, por vazhdoi ta ndihmonte lëvizjen si korrier, duke i mbështetur me bazë materiale, ushqimore dhe veshmbathje partizanët. Gjyshja e Alies, Xhevaire Malka, ka qenë kryetare e frontit demokratik të LANÇ-re të grave të Lutftinjës, ku jetonte familja e tyre dhe duke patur në pronësi një mulli, ndihmonte lëvizjen me të gjitha mundësitë e tyre.
Alie Malka, u lind më 1 tetor të vitit 1944, në Luftinjë dhe vjen 4-vjeçe në Memaliaj, ku u rrit në ato shtëpitë e para, të ulta dhe të gurta. Arsimimin fillor dhe atë 7-vjeçar, e kreu në Memaliaj.
Një javë para se stilistja, Alie Nika të ndërronte jetë nga një aksident tragjik, fola shumë gjatë në telefon, për të mësuar më shumë detaje rreth rrobaqepësve që kanë punuar në Memaliaj dhe vendndodhjet e këtij shërbimi social, që ka ndryshuar shpesh në saj të zhvillimit dhe shtrirjes së qytetit.
Nëse nuk do të kryeja bisedën telefonike, nuk do e kisha mësuar kurrë se, Alie Nika, ka qenë stilistja e parë memaliote e që ka ardhur në moshë shumë të vogël (4-vjeçe) dhe e rritur në këtë qytet. Është një stiliste e mirënjohur e rrobave, e cila ka dhënē kontributin e saj edhe në ngritjen e rrobaqepësive në Memaliaj, duke mësuar gjithashtu me dhjetëra studentë në mosha të reja dhe më të mëdha, të cilët dolën rrobaqepës shumë të talentuar. Nga kjo bisedë mësova, jo vetëm për historikun e stilistëve memaliotë, por edhe për kontributin e saj që ka dhënë në këtë fushë.
Në afërsi të shtëpisë së saj, banonin si komshinj, edhe dy rrobaqepëse të tjera, të cilat quheshin Margarita Dhespo dhe Bukurie Peri. Të dyja qepnin privatisht nëpër shtëpitë e tyre. Bukurie Peri ishte nga Korça dhe kishte ardhur e internuar në Memaliaj dhe burri i saj quhej, Skënder Peri, i cili punonte inxhinier. Nuk e mbaj mend (nga biseda), se në çfarë fushe të ekonomisë punonte si inxhinier, por duhet të ketë punuar në minierë ose në ndërtim. Këta kishin një vajzë të vogël dhe e quanin Roza dhe Bukuria i fliste shpesh Alies që t’i mbante vajzën, pasi ajo kishte shumë punë me porositë që merrte për të qepur.
Në atë kohë, Alie Malka, ishte vetëm 15-vjeçe dhe duke e ndihmuar për t’i mbajtur vajzën e saj, iu dha mundësia që ta ndihmonte edhe duke i bërë punëdore rrobave që Bukuria qepte. Edhe Margarita Dhespo, e thërriste për ta ndihmuar me punët e dorës, për rrobat që ajo qepte. Edhe pse Alia shprehte dëshirën për të mësuar më shumë, të dyja, nuk ia jepnin këtë mundësi, kuptohet, për arsye konkurrence.
Filloi punë në vitin 1962, kur ajo ishte 17-vjeçe dhe në vitin 1963, krijon familje me tepelenasin, Zane Nika. Po në këtë vit, i kërkon Sekretarit të Parë të rrethit të Tepelenës, Elmaz Temes, për t’i dhënë një të drejtë studimi, për të studiuar për stiliste dhe ai ia plotësoi dëshirën. Kursi ishte 2-vjeçar dhe ajo shkoi në Tiranë, ku e kreu me sukses.
Kur kthehet në Memaliaj nga specializimi, filloi punë tek rrobaqepësia e parë shtetërore, e cila ndodhej tek godina, ku në murin në krah ishte këndi famëkeq i “Fletë-Rrufeve”. Aty rrobaqepës ishte Todhe Çome, Vangjel Aleksi me vajzën e tij dhe Lliko Zhupa, babai i Vangjel Zhupës dhe pastaj erdhën edhe të tjerë, ku u bë një kolektiv më i gjerë, pasi u ndalua puna private dhe i morën në punë, ato që punonin privatisht, si Mirveti Mustafaraj, Margarita Dhepso dhe Bukurie Perin. Më vonë rrobaqepësia u transferua në vendndodhje të tjera si: “Agjencia” e pasagjerëve, në katin e parë tek “Arka e kursimeve”, në katin e parë tek godia e gurtë trekatëshe në qendër të qytetit, përbri “Pallatit të Kulturës”. Ajo tregon se ka punuar me punë vullnetare për të ndërtuar godinën ku u vendos “Arka e kursimeve”, por edhe rrobaqepësia në një nga ambientet e tjera, në pjesën veri-lindore të godinës.
Në ato vite, ishte e para që hapi kurse rrobaqepësie, pasi kishte dëshirë që këtë profesion, ta trashëgonin në masë edhe bashkëqytetarë të tjerë, jo vetëm gratë shtëpiake, por edhe nxënësit e shkollës. Kurset për gratë, i hapi në ambientet e “Pallatit të Kulturës”, ndërsa për nxënësit e shkollës 7-8 vjeçare, i hapi tek “Shtëpia e Pionierit”. Nuk mjaftoi me kaq, por ajo hapi kurse edhe nëpër fshatrave, për t’iu dhënë mundësi edhe kësaj pjese të shoqërisë.
Aty erdhën si nxënëse edhe bashkëqytetare të tjera si: Zerdeli Deshiku, Fatime Muçi, …etj, ku brenda rrobaqepësisë, Alie Nika u bënte kurse specializimi, që do të punonin në rrobaqepësinë për stilin e grave, ndërsa Vangjel Zhupa, u bënte atyre që do të punonin në rrobaqepësinë, që do të qepnin për veshjen e burrave.
Më vonë vjen, Agim Divindari dhe Nimete Nurka (Divindari). Edhe pse Bukurie Peri në atë kohë, u bë pjesë e kolektivit tonë, përsëri vazhdonte t’i kthente kurrizin, Alies, që të mos i merrte zanatin. Kur ajo pa që, Alie Nika po u bënte kurse nxënëseve brenda në rrobaqepësi, ajo u shprehë, “Uau, Alie! Ditke më mirë se unë..!”, pasi atë e kishte mësuar babai i saj, i cili kishte punuar pë shumë vite në Amerikë.
Ajo më tregon se, Vangjel Zhupa nga Dropulli ishte një rrobaqepës shumë i përgatitur, i cili erdhi nga Tepelena dhe bashkë me Agim Divindarin, hapën rrobaqepësinë e burrave ku Vangjeli ishte përgjegjës për disa vite.
Stilistja Alie Nika krijonte modele, i priste dhe i qepte, jo vetëm për gratë, por edhe për burrat. Kur reparti i burrave kishte shumë punë, Alie Nika shkonte dhe i ndihmonte. Më vonë rrobaqepësisë iu bashkuan Liri Karafili dhe Vanthi Kano, të dyja këto ishin nxënëset e Alies. Të gjitha ato nxënëse që mësoi, Alie Nika, koha i tregoi se ishin mjeshtre të vërteta.
Dëshirën e madhe, për t’i treguar çdo sekret studentëve të saj, e tregoi më së miri fakti se kur i shkuan për kontroll, Alit Beluli, Belul Arapi dhe Rustem Beshiku, u habitën kur panë të gjithë nxënësit, të cilët e kishin rrethuar Alien dhe e shikonin me kureshtje dhe e dëgjonin me shumë kujdes.
Makina qepëse që kishte në shtëpi ishte e markës kineze, “Flutura” (Butterfly), ndërsa tek rrobaqepësia, e kishte të markës amerikane, “Singer” dhe më vonë të markës “Luznik”.
Për punën e saj të palodhur, u vlerësua me rastin e 35-vjetorit të çlirimit të atdheut, ku u dekorua nga Kuvendi i Republikës me motivacionin: “Për cilësitë dhe për realizimin e planit.”
Emri i saj ishte i mirënjohur, jo vetëm në të dy qytetet e rrethit, Memaliaj dhe Tepelenë dhe nëpër fshatrat e rrethit, por edhe nëpër rrethet si, Gjirokastër, Përmet, etj.
Kur rrobaqepëset e Memaliajt, shkonin fshat më fshat dhe nëpër fushat ku gratë punonin, për tu marrë porositë, pasi ato e dinin ditën që u ishte caktuar dhe merrnin me vete edhe basmat apo strofrat. Sa herë që shkonin rrobaqepëset, shkonin 4-5 rrobaqepëse në grup. Rrobaqepëset paguheshin me normë dhe Alie Nika, nuk ndihej mirë kur më të shumtat e grave nëpër fshatra, kërkonin që porositë të merreshin vetëm nga ajo. Ajo u thoshte që edhe këto punojnë njësoj si unë (pasi në vetvete ajo ishte e sigurt, ngaqë ajo i kishte mësuar), por ato nuk donin. Kishte raste, që edhe pse ajo u merrte porositë, pa dijeninë e tyre, ua jepte të qepeshin nga rrobaqepëset e tjera.
Ajo nuk qepte privatisht në shtëpi, pasi kishte shumë frikë dhe aq më shumë, ngaqë ishte shumë e kërkuar nga banorët dhe kjo e bënte që të ishte gjithmonë nën vëzhgimin e drejtuesve të “Sektorit të komunales”.
Këtë e di shumë mirë, pasi Alie Nika është tezja ime dhe kishte aq frikë saqë as edhe motrave të saj, u qepte shumë pak, për të mos thënë, fare, pasi në atë kohë, i lejonin të qepnin vetëm të familjes.
Unë e kuptoja teze Alien dhe i jepja të drejtë, pasi edhe unë kur qepja rroba privatisht, isha nën një vëzhgimi tjetër nga pushteti lokal i asaj kohe, ashtu siç ndodhte edhe me të gjithë ata që qepnin vetëm privatisht në qytetin tonë.
Për të treguar frikën e saj, në vijim, po sjell një rast. Në vitet 1988-89, kur isha ushtar, në vitin e dytë, isha kujdestar për disa muaj. Midis shumë ushtarëve të rinj, kisha edhe nga Tirana dhe një prej tyre quhej, Shyqyri Tufina. Kishte respekt, pasi të gjithë ushtarët e rinj, i trajtoja të barabartë si me ushtarët e vjetër edhe pse disa ushtarë të vjetër, nuk e pëlqenin sjelljen time, por ata e dinin se nuk kishin çfarë të më bënin, sido që ta rrotullonin. Kështu u thye një traditë, që ushtari i vjetër duhej të ishte më superior, por harronin, që mbi të gjitha edhe ushtarët e rinj ishim njerëz dhe mesa sy e faqe do u dilnim përpara kur të na përplaste jeta. Kjo ndodhte me ata që nuk kishin patur personalitet dhe autoritet në jetë, gjë që mua dhe shumë memaliotëve, nuk u ka munguar, pasi jemi rritur të barabartë dhe si pjesëtarë të një familje të madhe.
Shyqua kishte një vëlla basketbollist në kategorinë e parë, me një nga klubet më me emër të Tiranës, por edhe vetë kishte luajtur basketboll me të rinjtë e 17 Nëntorit. Ngaqë e dinte se unë qepja rroba dhe bëja lek, pasi shkoja tek një familje e persekutuar në fshat dhe si këmbim e mësoja gjithashtu, të zotin e kësaj familje. Aty Shyqua do vinte të shikonte ndeshjen e basketbollit, Jogoplastika (Jugosllavi) – Maccabi (Izrael), që transmetohej në një kanal jugosllav, por nuk ndodhi, pasi qëlloi që ai ishte me shërbim. Ishte i çmendur pas basketbollit dhe e njihte shumë mirë basketbollin botëror dhe e vlerësonte shumë ndihmën që po i ofroja.
Përgjatë bisedës, pasi mësova se ai banonte në një shtëpi private tek Medreseja, i kërkova nëse mund të më gjente ndonjë shtëpi private në Tiranë, që mund të shitej dhe kur të lirohesha nga ushtria pas disa muajsh, të shpërngulesha. Ai ishte interesuar dhe kishte mësuar se një komshiu i tij, kishte kohë që kërkonte ta shiste, për 120 mijë lek të vjetra. Gjëja e parë që bëra pasi u lirova, bisedova me nënën time dhe shpreha çfarë kisha ndërmend, por na duheshin edhe 40 mijë lek të tjera dhe këto ja kërkova teze Alies ose ta blinim bashkë dhe të qepnim aty. Shtëpia ishte e madhe, njëkatëshe dhe me shumë oborr që për qëllimin që e dinim, ishte shumë mirë. Padyshim, duke ditur edhe vlerat e saj si stiliste, që edhe në perëndim vështirë se i gjeje, do kishim punë të paparë edhe pse më trembte fakti, se në atë sistem, fama do na merrte në qafë shumë shpejt, aq më shumë, si të ardhur nga një rreth tjetër.
Duke ia shpjeguar të gjithë detajet që i lartpërmenda, për momentin ajo pranoi, por tre ditë më vonë, ndërroi mendje, pasi ngaqë ishte dekoruar për vlerësimin e punës së saj, e shikonte shumë të vështirë të bënte një lëvizje të tillë edhe pse unë si një 19-vjeçar, u mërzita për momentin. Më vonë, i dhashë shumë të drejtë, pasi nga ky veprim do të kishim shumë pasoja të mëdha. Unë kisha aq shumë punë në Memaliaj, saqë edhe në disa raste i gënjeja klientët, pasi nuk kisha mundësi për t’i mbaruar porositë në kohë edhe pse flija 2-3 orë në ditë, si e tillë, aty e kisha Tiranën dhe botën në atë kohë të izoluar.
Edhe në bisedën e fundit, një javë para se të ndërronte jetë më 01.10.2019 nga një aksident tragjik, ia përmenda këtë rast dhe më tha se për atë kohë, kemi bërë veprimin më të matur dhe i dhashë sërish të drejtë.
Ndonëse u zgjata disi, por më duhej ta përmendja këtë ndodhi, pasi një vendim i pamatur mirë, të sjell në jetë shumë disfata, që mund të shoqërojnë për gjithë jetën.
Ajo që dua të përmend në fund të këtij shkrimi dedikues, është se përveç tezes time, Alie Nika, kishte edhe stilistë të tjerë të talentuar, si në shtet edhe privat, që i vishnin klientët e tyre, të dukeshin më klasik, më sportive, më praktikë dhe më perëndimor se perëndimorët, nëse i krahason pamjet e veshjeve të asaj kohe.
Këta stilistë i kujtojë me nostalgji dhe aq më shumë, Alie Nikën, e cila ka një kontributë të veçantë në edukimin dhe formimin e brezave të rinj stilistësh, të cilët edhe ata u bënë shumë të aftë dhe të talentuar dhe kanë dhënë një kontributë të veçantë.
Për kontributin e saj, ajo gëzonte respektin dhe admirimin e gjithë bashkëqytetarë të saj dhe më gjerë, pasi gjithmonë u ka shërbyer me cilësinë më të lartë dhe me një sinqeritet të paparë, duke mos bërë dallime tek askënd.
Stilistja Alie Nika, do të kujtohet gjithmonë edhe si stilistja e parë memaliote e diplomuar në një nga shkollat e kryeqytetit dhe nuk hezitoi asnjëherë, për t’ia trashëguar këtë profesion edhe brezave të tjerë, të qytetit Memaliaj dhe më gjerë.
Edmond Ismailati
Mars 2022