Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka zhvilluar këtë të martë në Shqipëri një vizitë zyrtare. Kjo ishte në fakt vizita e parë e tij në Tiranë. Ai u prit nga kreu i shtetit shqiptar, Bajram Begaj. Të dy patën një konferencë për shtyp ku shprehën vlerësimet e tyre për bashkëpunimin mes dy vendeve.
“Kjo është një vizitë historike për miqësinë tonë, duke qenë hera e parë që Tiranën e viziton një President nga Azerbajxhani. Vizitat e niveleve të larta janë shprehje e qartë e vullnetit dypalësh për të zhvilluar më tej marrëdhëniet e bashkëpunimit dhe miqësisë mes dy vendeve dhe popujve tanë. Shpreha vlerësimet më të mira për dialogun e shkëlqyer politik dhe bashkëpunimin e deritanishëm dhe kam bindjen se kjo vizitë e juaja, – zoti President – do t’i japë një shtysë të fuqishme bashkëpunimit në të ardhmen, në fusha me interes të përbashkët. Viti i ardhshëm shënon edhe 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit dhe kjo na jep mundësinë që ta shohim 2023, si vitin kur bashkëpunimi ynë duhet të intensifikohet dhe shënojë zhvillime të reja. Pranverën e vitit të ardhshëm presim që të zhvillohet Java e Azerbajxhanit në vendin tonë, si një mundësi e mirë për të njohur më mirë dhe më nga afër kulturat e njëri-tjetrit. Gjithashtu diskutuam mbi propozimin e palës Azerbajxhane për hapjen e Ambasadës në vendin tonë. Ky është një propozim që ne e mirëpresim dhe e vlerësojmë si shenjë të konsolidimit të marrëdhënieve dhe nevojë për të përshpejtuar ritmin e bashkëpunimit si dy vende mike. Diskutimet tona sot u fokusuan veçanërisht në nevojën për identifikimin e fushave të interesit të përbashkët dhe rrugët konkrete për thellimin e bashkëpunimit”, u shpreh Begaj.
“Për herë të parë në vendin tuaj të bukur, ndihem shumë i lumtur që gjendem këtu. Jam besimplotë që kjo vizitë do t’i japë një shtysë të fortë marrëdhënies mes Azerbajxhanit dhe Shqipërisë. Sot kemi diskutuar shumë çështje së bashku dhe kemi shprehur besimin tonë se kjo hap mundësi shumë të mira për zhvillime në të ardhmen. Sa i takon marrëdhënieve tona politike, presidentët shqiptarë në vitet e mëparshme e kanë vizituar shpesh Azerbajxhanin. Këtë vit ne patëm ish-Presidentin tuaj që vizitoi Azerbajxhanin dhe në Prill, Rama ishte miku ynë. Vizita ime dëshmon se dialogu politik ka horizonte shumë të mira dhe një dinamikë shumë të mirë. Në këto kontekste të afërta ne shfaqim dëshirat, interesat e përbashkëta dhe në të njëjtën kohë shpresoj që edhe të diskutojmë shumë çështje. Bashkëpunimi ynë i suksesshëm në organizatat ndërkombëtare po forcon lidhjet tona, marrëdhëniet tona, dhe ju e thatë, Shqipëria është mbështetëse e integritetit territorial të Azerbajxhanit. Ne e vlerësojmë fort këtë mbështetje”, u shpreh Aliyev.
Një ndër çështjet e diskutuara mes presidentëve ishte edhe ajo e energjisë dhe gazit. Aliyev u shpreh se Azerbajxhani është gati të ndihmojë për zhvillimin e infrastrukturës së gazit në Shqipëri.
“Në të njëjtën kohë lidhur me infrastrukturën e gazit, vendi ynë kërkon ta ndihmojë për zhvillimin e saj në Shqipëri. Kemi folur për këto alternativa. Ka shumë ide. Deri më tani nuk ka pasur një infrastrukturë të mirëzhvilluar në Shqipëri. Azerbajxhani mund të marrë pjesë si investues në këtë fushë. Jemi të gatshëm ta bëjmë këtë”, u shpreh Presidenti i Azerbajxhanit.
Të dy krerët e shteteve përmendën gazsjellësin TAP, ndërsa theksuan se mund të ketë bashkëpunim mes kompanive të Azerbajxhanit dhe të Shqipërisë edhe në fusha të ndryshme të ekonomisë.
“Bashkëpunimi mes dy vendeve tona, përmes projektit madhor të TAP-it, ka qenë i suksesshëm. Ne kemi shumë për të mësuar dhe përfituar nga përvoja dhe investimet azerbajxhanase në këtë fushë. Shqipëria, si vend tranzit në kuadër të TAP-it, synon të kthehet edhe në një vend përfitues të transmetimit të gazit. Në kuadër të bashkëpunimit me BE-në, Shqipëria dhe gjithë vendet e Ballkanit duhet të krijojnë infrastrukturën e gazifikimit dhe kapacitetet e nevojshme deri në vitin 2030. Kështu, procesi i gazifikimit të Shqipërisë hap mundësi të reja bashkëpunimi. Ne mirëpresim ndihmën nga pala azerbajxhanase për ngritjen e kapaciteteve të nevojshme njerëzor edhe besojmë se kompanitë nga Azerbajxhani do tëshfrytëzojnë hapësirat për bashkëpunim në këtë sektor, – në Shqipëri, Kosovë dhe rajon. Turizmi përbën një sektor të rëndësishëm të ekonomive të dy vendeve tona dhe një fushë me interes të përbashkët. Azerbajxhani ka përvojë të konsiderueshme, nga e cila ne mund të përfitojmë. I konfirmova Presidentit se ne mirëpresim investimet dhe kompanitë nga Azerbajxhani për zhvillimin e sektorit të turizmit në vendin tonë”, u shpreh Begaj.
“Sigurisht ndaj pikëpamjen tuaj sa i takon fushave ekonomike dhe të industrisë për të pasur takimin e parë të grupit të përbashkët sepse ka shumë çështje për të diskutuar. Kemi folur për bashkëpunimin tonë në fushën e gazit, si për arritjet që kemi përftuar po kështu edhe për punën që shtrihet përpara nesh. Megjithatë mendoj që ka mundësi shumë të mira edhe në fusha të tjera dhe ndërveprimi midis kompanive shqiptare dhe azerbajxhanase, në turizëm, bujqësi në teknologjitë moderne e di që të gjitha këto fusha janë përparësi për të dy ne, kësisoj në këto fusha jam besimplotë që do të bëjmë hapa përpara vendimtare. Sa i takon furnizimit me gaz, Azerbajxhani dhe Shqipëria janë anëtarë të projektit TAP dhe gjithashtu edhe në zbatimin e Korridorit Jugor të gazit, vendet tona kanë bashkëpunuar me shumë sukses. Nën drejtimin tonë ka patur takim të këshillit të 1 mijë përfaqësuesve të gazit, ndërkohë që Shqipëria ka marrë pjesë në të gjitha takimet e këtij këshilli. Aktualisht gazi natyror i Azerbajxhanit po i kontribuon sigurisë energjetike të Europës. Në këtë Korrik patëm Komisionin mes BE dhe Azerbajxhanit. Nënshkruam memorandumin e mirëkuptimit për bashkëpunimin strategjik dhe deri në 2027 mbështetur në këtë memorandum kemi planin të dyfishojmë vëllimin e furnizimeve me gaz për Europën. Ky gaz do të kalojë përmes Shqipërisë. Depozitat tona të energjisë së gazit janë shumë të pasura”, u shpreh Aliyev.