Me fitoren ndaj Cagliarit ende të freskët, bardhezinjtë e Juventusit do të provojnë të thonë fjalën e fundit për kapitullin e kampionatit të këtij edicioni gjatë sfidës së të shtunës ndaj Milanit, për t’iua dedikuar më pas të gjitha energjitë Championsit. Massimiliano Allegri, e nisi konferencën për shtyp për sfidën ndaj kuqezinjve me fjalë pozitive referuar gjendjes së Cristiano Ronaldos.
“Cristiano paraqitet në një formë më të mirë, nuk do të jetë i gatshëm ndaj Milanit, por shpresojmë ta kemi në dispozicon për datën 10 prill ndaj Ajaxit. Chiellini me shumë mundësi nuk do të luajë. Do të ketë ndryshime ndaj do të gjejnë hapësirën e tyre edhe lojtarë të stolit. Dybala, Mandzukic dhe Spinazzola do të jenë për takimin me Milanin. Mbetet ende për t’u vlerësuar gjendja e Khedirës, ndërkohë që Douglas Costa rikthehet të mërkurën. Barzagli pritet të kryejë disa vizita gjatë këtyre ditëve, Cuadrado rikthehet të shtunën e ardhshme. Caceres mbetet jashtë për tri javë, ndërkohë që Perin monitorohet ditë pas dite, por nuk do të luajë ndaj Milanit.”
Duke iu përgjigjur pyetjes mbi përshtatshmërinë në sulm mes Kean dhe Mandzukic, Allegri shpjegoi: “Kean mund të luajë mjaft lehtë me Mandzukicin, Dybalën apo dhe Bernardeschin. Gjithsesi, jam duke vlerësuar gjendjen e të gjithë lojtarëve, pasi ajo e nesërmja është një sfidë shumë e fortë. Moise po tregon progres dhe po rritet profesionalisht. Në mënyrë që të konvertohet në lojtarin e madh që presim të gjithë, ka shumë rëndësi për të edhe kultivimi në aspektin psikologjik.”
Allegri më pas u ndal tek fenomeni i racizmit, që duket se po përsëritet në fushën e blertë, si në rastin e fundit të me Kean në Cagliari.
“Racizmi nuk duhet dhe nuk mund të justifikohet kurrsesi. Është i papranueshëm. Tjetër çështje ajo e sjelljes së lojtarëve.”
Në fund, edhe pse jo më pak i rëndësishëm, diskursi mbi çështjen titull, me Juventusin që ka shanse reale për të ngritur në avancë Kupën e Serisë A mbrëmjen e së dielës, Allegri shton: “Kur ta fitojmë, sigurisht që do të jetë një mbrëmje e paharrueshme për t’u festuar gjatë, pse jo uroj të ndodhë që këtë fundjavë. Të fitosh tetë tituj kampion radhazi nuk është kurrë e lehtë dhe shifrat në këto nivele bëhen impresionuese. Dua të theksoj se ky rrugëtim suksesi vjen si meritë e Juventusit dhe aspak nga disavantazhi i rivalëve të tjerë. Gjithsesi, Juve-Milan do të jetë një sfidë e ekuilibruar, me kuqezinjtë që janë rritur shumë si skuadër dhe luftojnë tanimë për zonën Champions. Për më tepër që një sfidë e tillë gjithnjë ka qenë e ekuilibruar”.