Alma Neço, mjeke reanimatore, është një nga pjesëtaret e stafit mjekësor të nisur nga Shqipëria në Itali për të dhënë ndihmën e tyre në shtetin fqinj, të goditur rëndë nga koronavirusi.
Në një lidhje me “Skype” në A2, Neço u shpreh se këtë javë ka nisur punën normalisht në reanimacion, duke dhënë ndihmesën e saj.
Ajo thekson se asnjë nga stafi i dërguar nga Shqipëria nuk i është nënshtruar testimit, ashtu siç u fol kur grupi prej 30 mjekësh mbërritën në Itali. “Unë jam vendosur në reanimacionin e një spitali COVID. Në fillim dukej e vështirë pasi nuk e dinim radhën e punës dhe nuk e njihnim personelin, por u integruam shumë më shpejt. Na kanë pritur shumë mirë. Mirënjohja shkoi përtej duartrokitjeve në aeroport.
Historinë e testimin e kemi dëgjuar vetëm nga mediat. Ata na kanë bërë vetëm një intervistë se çfarë mund të bënim. Më pas na instruktuan për pajisjet mbrojtëse dhe në fazat e para na kanë mbikëqyrur për të kuptuar se si funksiononte. Nga kjo javë kemi filluar të punojmë normalisht”, u shpreh mjekja shqiptare.
Sa i përket situatës në Itali, ku është folur shumë se numri i të prekurve është në rënie, mjekja shqiptare thekson se në reanimacionin ku ajo punon, numri i të sëmurëve nuk ka rënë.