Autoritetet kishin hequr dorë nga shpresa për ta gjetur atë të gjallë. Sam Benastick, 20 vjeç, ishte zhdukur për më shumë se një muaj.
I riu u raportua i zhdukur më 19 tetor: pasi u nis për një udhëtim 10 ditor në Redfern Keily Park, një rajon i largët dhe i akullt i shkretëtirës në malet veriore Rocky të Kanadasë, pas disa ditësh ai ndaloi së dhëni lajme për familjarët e tij.
“Është e vështirë të mbijetosh në -20°C, mes maleve të ashpra të banuara nga arinj dhe reshje dëbore”, tha policia, e cila përfundoi pas disa ditësh kërkimet, ku ka marrë pjesë edhe familja e të riut.
Pastaj të martën vjen pika e kthesës. Dy burra që shkonin për në punë e gjetën në anë të rrugës, shëndoshë e mirë dhe e çuan në spital për t’u trajtuar.
Sam kishte arritur të mbijetonte vetëm për 50 ditë, në pyllin e shkretëtirës së largët dhe të ngrirë të Rockies Veriore të Kanadasë.
Sipas informacioneve fillestare, i riu thjesht ka humbur rrugën gjatë ekskursionit të tij, i cili duhej të zgjaste 10 ditë (e filloi më 7 tetor).
Pasi qëndroi disa ditë në makinën e tij, ai qëndroi për 10-15 ditë pranë një përroi.
Më pas, zbriti në luginë, ku ngriti kampingun duke përdorur një tendë dhe disa pajisje që kishte me vete dhe kështu arrin të mbijetojë.
“Kur mësuam se ai ishte shëndoshë e mirë, – tha menaxheri i Buffalo Inn Pink Mountain, një hotel afër parkut, ku familja e Sam kishte kaluar javë të tëra gjatë kërkimit për djalin e tyre, – të gjithë u përqafuam dhe nisëm të qanim. Unë kam tre fëmijë dhe pesë nipër e mbesa, e di se çfarë po kalonin”.
Nuk është ende e qartë se çfarë shkoi keq dhe si mund të kishte humbur pa gjetur rrugën e kthimit. Policia tha se do të përpiqet të zbulojë më shumë sapo ai të shërohet. Ndërkohë, nëna e tij, Sandra Crocker, ndau një foto të tij në shtratin e spitalit për televizionin kanadez CBC dhe tha se ankohej se nuk kishte kapur asnjë peshk.