Alpinistja Mrika Nikqi ka publikuar një video tronditëse kur kishte qenë viktimë e një sulmi seksual mbrëmjen e së martës në qendër të Pejës.
Në videon e publikuar, ajo ndiqet nga personi që Nikqi e identifikon me inicialet F.B., nga Peja, dhe në një moment kur nuk kalon askush e kap nga mbrapa duke tentuar të bëjë veprime të turpshme.
Personi has në rezistencë nga Nikqi dhe largohet vetëm pasi kupton që po afrohen edhe dy gra të tjera që janë kalimtare të rastit.
Nikqi shkroi në Facebook se personi e ka kryer veprimin me paramendim ndërsa vetë ajo gjendet në një gjendje të rëndë emocionale.
Personi që shihet në video është arrestuar nga Policia e Pejës.
“Shokë e shoqe, po ju njoftoj për një rast i cili me ka tmerruar plotësisht. Me datë 27. 09.2022, në ora 20.50, në qendër të qytetit te Pejës isha viktimë e sulmit seksual, veprim vandal i cili është kryer me paramendim nga personi F.B, anëtarë i një familje të njohur në qytetin e Pejës. Si pasojë e kësaj situate, për momentin jam në gjendje të rëndë emocionale dhe nuk mund të deklarohem në tërësi. Pas vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës do të ju njoftoj për rrjedhën e situatës dhe sulmuesin e paskrupullt.
Në videon e bashkangjitur, e gjykoni vetë këtë gjest të shëmtuar, viktimë e të cilit ka mundur të jetë çdo familjarë i juaji. Unë dhe familja u jemi mirënjohës organeve kompetente dhe qytetarëve të cilët me angazhimin e koordinuar, dhe shumë shpejtë, mundësuan identifikimin dhe arrestimin e sulmuesit i cili ka lënë një vragë të shëmtuar në jetën time”, shkruan alpinistja.